MBRETI VDIQ, RROFTË MBRETI

Me rastin e trishtuar të vdekjes së mbretit të Norvegjisë Harald V, OBOBO News zhvilloi një anketë me një kampion përfaqësues të popullatës së mediave sociale shqip, falë së cilës doli në shesh se:

  1. Vetëm 10% kishin dëgjuar më parë për mbretin Harald V
  2. 30% nuk e kishin ditur se Norvegjia është mbretëri
  3. 5% nuk e dinin se ç’është Norvegjia
  4. 20% kujtonin se Norvegjia është skuadër futbolli
  5. 95% nuk e dinin se mbreti kish një djalë të quajtur Haakon, i cili tani do të fronëzohet
  6. 30% ngatërronin mbretin Harald V me futbollistin Haaland
  7. 15% besonin se futbollisti Haaland do të jetë mbreti i ardhshëm i Norvegjisë
  8. 7% kishin kujtuar se kish vdekur futbollisti Haaland, incidentalisht edhe mbret i Norvegjisë
  9. 2% shprehën bindjen se mbretin e Norvegjisë e kanë helmuar
  10. Prej këtyre, 25% besonin se mbretin e Norvegjisë e ka helmuar Alfred Çakoja ndërsa 30% dyshonin më fort për rusët
  11. 30% thanë që në varrimin e mbretit Harald V duhet të marrë pjesë Presidenti i Republikës Bajram Begaj, ndërsa 7% ishin që kjo angari t’i lihet kryeministrit Edi Rama
  12. 22% shprehën habinë që Norvegjia paskësh pasur pesë mbretër me të njëjtin emër
  13. 10% thanë se kjo vdekje do të ndikonte negativisht në ngrohjen globale, ndërsa 12% se do të ndikonte pozitivisht
  14. 10% shprehën kënaqësinë që Norvegjia e ka njohur Kosovën
  15. 60% u shprehën që ngjarja nuk do të ketë ndonjë impakt në turizmin në Shqipëri, ndërsa vetëm 8% thanë se një mbret i vdekur nuk mund të sjellë veç rënie të shifrave
  16. 8% thanë se kjo vdekje e bën sërish aktuale nevojën që edhe Shqipëria të rishpallet monarki, aq më tepër që e ka mbretin gati
  17. 20% besonin kjo vdekje do të ndikojë negativisht në rezultatet e ekipit kombëtar norvegjez të futbollit.

(c) 2026 OBOBO News.

Standard

SURROI SË SHPEJTI ME STATUJË NË KUKËS

GURI I KAMJES: Pas gabimit të trishtuar që, për fat, u kap në kohën e duhur, me titullin qytetar nderi që për desh iu hoq publicistit Veton Surroi ditën për diell, Drejtoria e Hapësirës Publike, e Qarkut të Kukësit, në bashkëpunim me Komisionin e Artit dhe të Artizanatit lokal, vendosi sot, unanimisht, që Veton Surroit t’i ngrihet sa më shpejt një statujë e dedikuar mermeri, në një shesh kryesor të qytetit. Monumenti, sipas burimeve konfidenciale të agjencisë sonë, do t’i besohet autorit të statujës kontroversiale të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, që sapo është ngritur në Prizren, duke ngjallur jehonë të gjerë rajonale dhe ndërkombëtare.

© 2020, OBOBO NEWS.

Standard

SQARIME PËR POETIN LAUREAT

Materiali që po sjellim të përmbledhur më poshtë është dërguar në OBOBO NEWS nga dr. Kobalt Kokodede, sekretar shkencor i Drejtorisë Bashkëkohore, pranë Ministrisë së Kombit dhe të Kombinimeve, në lidhje me disa keqkuptime që kanë lindur për figurën e poetit laureat dhe pikërisht për të evidentuar disa të pavërteta që po qarkullojnë, jo gjithnjë në pafajësi, rreth këtij lloji të posaçëm poeti.

Nuk është e vërtetë që poetit laureat, në ceremoninë e shpalljes, do t’i kërkohet të betohet kështu: “Për at’ Naim, për at’ Lasgush, dhe për at’ Fishtë!”. Poetit laureat mund t’i lejohet që invokojë zotat e vargut shqip, që t’ia lehtësojnë penën dhe ta ekspozojë këtë invokim në krye të poemave të veta.

Nuk është e vërtetë që poeti laureat do të vishet me kostumin popullor shqiptar tradicional sa herë që të dalë në publik dhe do të detyrohet të recitojë vjersha të mëdha patriotike të cilat fillojnë me apostrofin: “O Shqipëria ime!” ose “O tokë, e lame me gjak!”

Nuk është e vërtetë që poeti laureat duhet ta ketë provuar dorën me rapsodi, balada dhe poema epike; dhe as që duhet të shkruajë në varg folklorik tetërrokësh. Është e vërtetë që poeti laureat do të testohet, për nëse di të shkruajë dhe/ose të ligjërojë me varg folklorik tetërrokësh.

Nuk është e vërtetë që poeti laureat do të zgjidhet me votë të lirë nga Facebook-u.

Vazhdoni leximin
Standard

NJË BISEDË ORGANIKE

Intervistë me dr. Shamim Akash, të së përditshmes britanike The Daily Sun.

Pas botimit ndërkombëtar të intervistës së mjekut Shamim Akash nga e përditshmja prestigjioze britanike The Daily Sun dhe që u rimor gjerësisht nga shtypi shqiptar, edhe OBOBO NEWS i kërkoi një intervistë ekskluzive dr. Akashit, të cilën po e përcjellim në vijim, për gëzimin e madh të lexuesit tonë të etur për shkencë dhe dije:

OBOBO NEWS: Dr. Akash, paskemi në trup organe që nuk na duhen – kujt prej nesh profanëve mund t’i shkonte mendja për këtë? A bën natyra gabime?

AKASH: Nuk do t’i quaja gabime, por më tepër shfaqje të redundancës (teprisë), a të përgatitjeve strategjike të trupit për të mbijetuar në rast lëndimesh, sëmundjesh ose gjymtimesh.

Male Human skeleton, two views, front and back.

Dr. Shamim Akash

OBOBO NEWS: Cili është mendimi juaj për zemrën? A do të jetojmë dot ndonjëherë pa të?

AKASH: Eksperimentet e mia kanë treguar se njeriu mund të jetojë pa zemër, ose duke e zëvendësuar atë me një pompë. Ose edhe me dy pompa. Unë do të isha për dy pompa: kur nuk punon njëra, fillon të punojë tjetra.

OBOBO NEWS: Po pse themi atëherë se vdekja ndodh kur pushon zemra?

AKASH: Kemi nevojë për një përkufizim të ri të vdekjes. Në fakt, edhe i vjetri ishte i pasaktë, meqë vdekja ndodh jo kur ndalet zemra – sepse zemra ndalet pas çdo rrahjeje – por kur nuk i rifillon më rrahjet. Ka një ndryshim të madh.

Vazhdoni leximin

Standard

Një president me peshë

KUSKUZ: Nga të gjithë liderët botërorë, Sum Tifon, që është Presidenti i shtetit të vogël aziatik të Kamburit, në rrëzë të Himalajave, që prej vitit 2012, bie në sy për të kaluarën e tij të pazakontë, para se t’i futej dhe t’i kushtohej politikës.

Në fakt, Sum Tifoni ka qenë për vite me radhë kampion më parë kombëtar, pastaj edhe rajonal i mundjes së lirë, në peshën e rëndë.

Vazhdoni leximin

Standard

Kapet gjermani i fundit

Sot në mëngjes, forcat e ndjekjes së shpejtë në bashkëpunim me disa gjahtarë italianë të rastit, ranë në kontakt me një njeri të egër në zonën e Bogës.

Pas një manovre të drejtuar me dorë të sigurt nga major Gjelosh Markgjekaj, ky person nuk i shpëtoi dot kurthit mjeshtëror dhe u kap i gjallë, për t’u shoqëruar menjëherë në Komisariatin e Qytetit të Shkodrës.

Vazhdoni leximin

Standard

Vizitë në kohën e duhur

Bëhet e ditur se dje mbërriti në vendin tonë, për një vizitë disaditore, Anticikloni i Azoreve. Miku i shquar, të cilit i uroi mirëseardhjen në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit ministrja i Shirave dhe Thatësirës, zonja Bardha Ylli, u prit pastaj në takime të veçanta nga kryetari i Këshillit të Ministrave, z. Edi Rama; kryetari i Parlamentit të Republikës z. Ilir Meta; dhe Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani. Në këto takime u theksua vullneti i përbashkët i të dy palëve për të forcuar më tej marrëdhëniet, mbi bazën e parimeve të reciprocitetit, të mosndërhyrjes dhe të fqinjësisë së mirë.

Vazhdoni leximin

Standard

Opera shqip në Katar

Artistët operistikë me famë botërore, sopranoja hyjnore Ermonela Jaho dhe tenori edhe ai hyjnor Saimir Pirgu, do të këndojnë për punëtorët shqiptarë që do të imigrojnë në Katar, për të ndihmuar vendin mik gjatë përgatitjeve për Botërorin 2022.

OBOBO News ka arritur të zbardhë një pikë gjysmë sekrete të marrëveshjes, e cila parashikon që këngëtarët do të performojnë në dopolavoro-n e Doha-s, dy herë në muaj, duke interpretuar arie të njohura nga operat “Halili dhe Hajria”, “Mrika” dhe “Shtatë shaljanët”, të shoqëruar nga orkestrina funerale amatore e komunitetit nepalez në Katar.

Vazhdoni leximin

Standard

Të dish të varrosësh

KËSHILLI SUPREM I SHTETIT

I mbledhur sot me praninë e shumicës së cilësuar të anëtarëve,

DUKE PASUR PARASYSH:

– rritjen e numrit të vrasjeve muajt e fundit, mes të cilave edhe të atyre të personave publikë dhe në krye të institucioneve të ndryshme

– paaftësinë kronike të organeve hetimore për të gjetur autorët e këtyre vrasjeve dhe për të zbardhur motivet e tyre

– dhënien tani së fundi Shqipërisë të statusit të kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Europian

– faktin që jemi në prag të sezonit turistik dhe nevojën për të kultivuar një imazh tërheqës për natyrën dhe shoqërinë shqiptare

Vazhdoni leximin

Standard