QIRIRI DIGJET NË HESHTJE
Intervistë ekskluzive me zonjën Mimika Strazimiri-Paluca, presidente e shoqatës patriotike Alb-Diaspora.
OBOBO NEWS: Zonja Strazimiri-Paluca, mirësevini në studion tonë. Publiku i OBOBO NEWS e njeh tashmë veprimtarinë tuaj në krye të shoqatës Alb-Diaspora, ku prej disa vitesh e kryesoni shoqatën. Çfarë mund t’i thoni publikut tonë diçka më tepër për këtë veprimtari?
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: Fjala shqipe “diaspora” vjen nga “dija e ashpëra”, ose dija e fituar nga përvoja e ashpër e mbijetesës historike të popullit pellazg, të cilit aq bukur i kanë ligjëruar Naum Frashëri dhe Ndrek Luca. Shoqata Alb-Diaspora ka për mision të shenjtë të mbajë lart flamurin tonë kombëtar të larë me gjakun e të rënëve, siç e ka treguar edhe historia mijërashekullore.
OBOBO NEWS: Ju jetoni e punoni në qytetin piktoresk të Bostonit. Sa ka ndikuar kjo në orientimin kulturor të veprimtarive tuaja patriotike dhe liridashëse?
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: Vij nga komuniteti shqiptar i qytetit të Bostonit, të cilin e ka themeluar Fan Stilian Noli. Së bashku me zonjën Marika Pendavinji, e cila është mbesa e shqiptarit të madh patriot dhe biçiklistit të parë korçar Stamo Dumo, kemi kërkuar të frymëzojmë ndjenjën thjesht shqiptare në bashkatdhetarët e shumtë me banim në kontinentin amerikan dhe më tej. Në Boston veprojnë edhe dy restorante patriotike ku shërbehen gatesa tradicionale arbërore, si dhe një orkestrinë e polifonisë labe, më e lashta në Ballkan dhe në Evropë.
OBOBO NEWS: Si e keni konceptuar rolin e shoqatës Alb-Diaspora në marrëdhëniet me dheun mëmë?
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: E kemi konceptuar atë rol duke u vendosur në krye të përpjekjeve për ta arritur. Shqipëria ka nevojë për bijtë dhe bijat që i janë larguar me dhimbje. Siç e këndonte edhe Çajupi i madh te Lëndina e Lotëve: mbahu nëno mos ki frikë; se ke djemtë në Amerikë. Çajupin e plagosën grekët, në Qafë-Gjashtë; por fjalën nuk ia zunë dot në grykë. Miku im, nobelisti Ismail Kadare, ka thënë për bilbilin e Zagorisë: gjithçka në krijimtarinë time ia dedikoj atij burri të lartë.
OBOBO NEWS: Keni kontakte të shpeshta me figurat madhore të kombit shqiptar?
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: Së bashku me zonjën Marika Pendavinji dhe zojushën Zoja Gjek Markaj, i kemi dhuruar prof. Lufter Xhuvelit një këmishë liri të qëndisur, pasi ai përshëndeti në Kongresin e Parë të Alb-Diasporës, për hemisferën veriore. Edhe shkencëtarë të tjerë të mëdhenj, si Moikom Zeqo, Sazan Guri dhe Musa Ahmeti, na kanë dërguar letra të ngrohta përgëzimi. I pata thënë njëherë të ndjerit Ibrahim Rugova: po të ishte gjallë e shkreta Nënë Tereza, do ta kisha pasur krah, në krye të organizatës sonë panshqiptare e do ta kisha dashur si nënën time.
OBOBO NEWS: Thuhet se së shpejti do të botohet në Shqipëri libri juaj “Shqiptarët: më të vjetër edhe se pellazgët.”
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: Ky libër është fryt i jetës sime, ndoshta i vdekjes sime. Siç këndon poeti i madh i diasporës shqiptare, Shpendi Sheperi: “Truall i lashtë/Tokë e njomur në gjak/Edhe rrufetë e qiellit/I ke ndezur flakë.” Dua që libri im t’u jepet djemve dhe vajzave të reja në Shqipëri, për të mësuar të vërtetën. Prof. Shaban Demiraj m’u lut që ta lija t’ia shkruante atij libri parathënien, për t’ua mbyllur gojën njëherë e mirë armiqve të shumtë të kombit. I thashë: nuk ka kuptim të rrezikoheni edhe ju, një nga të paktët albanologë që na kanë mbetur.
OBOBO NEWS: Si e shihni të ardhmen e diasporës shqiptare në hemisferën veriore?
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: Të ndritur.
OBOBO NEWS: Të ndritur në ç’kuptim?
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: Të ndritur, të mbuluar në dritë. Fjala “dritë” është fjalë shqipe para-indoevropiane, së cilës nuk i dihet kuptimi. Armiqtë e shqiptarëve kanë punuar mirë. Por unë kam bërë aq për kombin tonë të lashtë, sa të më lejohet të them tani: rroftë shqiptaria! Në zemrën e shqiptarit nuk perëndon kurrë dielli. Ne e kemi perandorinë tonë në genet, të qëndisur me shkronja ari. Miku im, nobelisti tjetër shqiptar Ferid Murati, thotë se genet janë si gjuhëzat e zjarrit: mund
t’i lexosh vetëm kur digjen.OBOBO NEWS: Po diçka për punën tuaj me gruan shqiptare?
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: E keni fjalën për nënat dhe motrat e kreshnikëve? Qëndistaret e flamujve? Në një letër të hapur që u shkrova të gjitha shqiptareve në diasporë, u thashë: ju jeni kryeporta nga ku i hyjnë Shqipërisë heronjtë. U thashë: ju jeni burrnesha, sepse edhe fjala burrneshë është nga ato fjalë që nuk u gjendet rrënja. U thashë: mëkojini kërthinjtë me gjuhën e Orëve të Mujit, të Tanush Topisë dhe të Milosaos. Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël sa e dëlirë…
OBOBO NEWS: Diçka për veprimtarinë tuaj poetike.
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: Poema ime epike “Mamica Kastrioti” fitoi çmimin “Penda e Shqipes”, të degës së shoqatës Alb-Diaspora për Arbërinë e Jugut. Është një poemë e pabotuar, pakkush ma ka lexuar. Nuk më pëlqen popullariteti. Por kur ma dorëzoi çmimin, poeti dhe patrioti i madh arvanitas Jorgo Kullurioti më pëshpëriti: ju zonjë jeni Mamica Kastrioti e shekullit XXI.
OBOBO NEWS: Mos është ai Jorgo Kullurioti që…
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: Pikërisht. E helmuan serbo-grekët në mbyllje të ceremonisë të çmimeve; e kishin vënë në shënjestër prej kohësh, por nuk arritën ta eliminojnë krejtësisht. E mbrojti populli shqiptar sypatrembur i Bostonit. Madje mund t’ju jap që tani lajmin e mirë se ky artist i kulluar i diasporës, ky luftëtar i paepur për autoqefalinë e Kishës Katolike në Shqipëri, ky stërnip i Marko Boçarit, i Bubulinës dhe i Kollokotronit, sapo është kthyer në gjirin tonë dhe ka kërkuar strehim politik në Kanada, pas një sëmundjeje të shkurtër dhe krejtësisht të shërueshme.
OBOBO NEWS: zonja Strazimiri-Paluca, ju falënderojmë për intervistën, dhe ju urojmë suksese të mëtejshme në veprimtarinë tuaj patriotike. Shqiptaria ka nevojë të madhe për ju.
MIMIKA STRAZIMIRI-PALUCA: Ensë dashunit botës sanë.
Intervistoi: Kristanthi Popoviç
© OBOBO NEWS/ korrik 2007