Intervistë me dr. Shamim Akash, të së përditshmes britanike The Daily Sun.
Pas botimit ndërkombëtar të intervistës së mjekut Shamim Akash nga e përditshmja prestigjioze britanike The Daily Sun dhe që u rimor gjerësisht nga shtypi shqiptar, edhe OBOBO NEWS i kërkoi një intervistë ekskluzive dr. Akashit, të cilën po e përcjellim në vijim, për gëzimin e madh të lexuesit tonë të etur për shkencë dhe dije:
OBOBO NEWS: Dr. Akash, paskemi në trup organe që nuk na duhen – kujt prej nesh profanëve mund t’i shkonte mendja për këtë? A bën natyra gabime?
AKASH: Nuk do t’i quaja gabime, por më tepër shfaqje të redundancës (teprisë), a të përgatitjeve strategjike të trupit për të mbijetuar në rast lëndimesh, sëmundjesh ose gjymtimesh.

Dr. Shamim Akash
OBOBO NEWS: Cili është mendimi juaj për zemrën? A do të jetojmë dot ndonjëherë pa të?
AKASH: Eksperimentet e mia kanë treguar se njeriu mund të jetojë pa zemër, ose duke e zëvendësuar atë me një pompë. Ose edhe me dy pompa. Unë do të isha për dy pompa: kur nuk punon njëra, fillon të punojë tjetra.
OBOBO NEWS: Po pse themi atëherë se vdekja ndodh kur pushon zemra?
AKASH: Kemi nevojë për një përkufizim të ri të vdekjes. Në fakt, edhe i vjetri ishte i pasaktë, meqë vdekja ndodh jo kur ndalet zemra – sepse zemra ndalet pas çdo rrahjeje – por kur nuk i rifillon më rrahjet. Ka një ndryshim të madh.
OBOBO NEWS: Ne kemi besuar, deri më tash, se organe të panevojshme janë ato të dorës së dytë, si apendiksi.
AKASH: Apendiksi mund të mos i duhet trupit, por është baza e industrisë kirurgjikale anembanë botës.
OBOBO NEWS: A ka ndonjë organ shqisash që është i tepërt?
AKASH: Në një kuptim, çdo organ që vjen në çift, mund të quhet redundant: kur të dhemb një sy, kërreje që të shpëtojë tjetri, thoshte nobelisti i madh shqiptar, dr. Adhamudhi. Por njeriu mund të jetojë edhe pa sy – madje të verbrit jetojnë mesatarisht më gjatë se ata që i kanë akoma sytë, madje edhe ata që i kanë sytë por që i përdorin rrallë.
OBOBO NEWS: Po truri?
AKASH: Shumë njerëz jetojnë një jetë normale, pa e vënë trurin në punë. Kaq do të mjaftonte, besoj unë, për të konkluduar se truri nuk bën pjesë në organet jetike. Edhe Aristoteli mendonte, jo pa të drejtë, se truri shërbente, para së gjithash, për të freskuar gjakun. Njëlloj si radiatori i makinës. Ç’jemi ne që të kundërshtojmë Aristotelin?
OBOBO NEWS: A kemi organe pa të cilat vërtet nuk do të jetonim dot?
AKASH: Natyrisht. Një prej tyre është mushkënia e zezë.
OBOBO NEWS: Po mushkëritë vetë?
AKASH: Njeriu mund të jetojë pa mushkëri, por vetëm në një mjedis pa ajër. Për shembull, në një planet ku mungon atmosfera. Por ky është njeriu i së ardhmes, që do ta përdorë trupin në mënyra sot të pakuptueshme.
OBOBO NEWS: Pse kemi dy veshka?
AKASH: Kam thënë që njëra prej tyre është rezervë. Për shembull, unë mund t’ju jap ju tani veshkën time të majtë dhe të vazhdoj të jetoj normalisht me të djathtën.
OBOBO NEWS: Po sikur ne t’ju kërkonim të djathtën?
AKASH: Veshkën e djathtë ia kam premtuar tim ungji.
OBOBO NEWS: A mund të ketë mosmarrëveshje mes organeve?
AKASH: Jo vetëm që ka mosmarrëveshje, por unë do të shtoja se nevoja për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje e shndërron masën qelizore të trupit në organizëm.
OBOBO NEWS: A ka një organikë ky organizëm? A ka hierarki mes organeve? A ka organe që u binden organeve të tjera?
AKASH: Në trupin e njeriut çdo organ është gjithnjë gati për të marrë mbi vete funksionet e një organi tjetër. Në këtë kuptim, organika për të cilën flisni ju – një term që unë nuk do ta përdorja – është produkt i marrëdhënieve të organizmit me vetveten dhe mjedisin, përfshi këtu edhe organizmat e tjerë.
OBOBO NEWS: Le të flasim për organe që përmbushin nevoja më të sofistikuara. Sa i domosdoshëm është laringu?
AKASH: Laringu u duhet akoma të verbërve, llafazanëve dhe këngëtarëve; por sot njeriu përndryshe komunikon shumë mirë me shkrim.
OBOBO NEWS: Atëherë mund të themi se të domosdoshme nuk janë organet veç e veç, por në raportet e tyre të ndërsjella? Për shembull, laringu i duhet vetëm kujt nuk ka sy ose gishta?
AKASH: Në filozofinë time, sytë dhe laringu dhe majat e gishtave janë shfaqje të së njëjtës nevojë për komunikim. Por sytë kanë edhe funksione të tjera – p.sh. ka njerëz të cilët nuk arrijnë dot të flenë, po të mos i mbyllin. Ose gishtat, që shërbejnë edhe për t’u kruar.
OBOBO NEWS: Një pyetje që do të tingëllojë absurde: për çfarë na duhen organet që nuk na duhen? Për shembull, kërthiza?
AKASH: Unë i kthehem shpesh studimit të kërthizës. Më pëlqen ta mendoj si vulën që ia lë nëna fëmijës. Adami nuk kishte kërthizë, sepse nuk lindi nga një bark nëne. Nuk është çudi që nesër kërthiza të shndërrohet në stigmë për të gjithë ne. Por kërthiza, më shumë se organ, është fotografi e diçkaje që tashmë ka ndodhur.
OBOBO NEWS: Ju keni thënë se ka ndodhur që disa burra të kenë bërë fëmijë, edhe pse nuk i kanë pasur organet gjenitale; njëlloj si disa burra të tjerë arrijnë të ushqehen, edhe pse nuk e kanë stomakun.
AKASH: Kjo ndodh ngaqë funksionet e organeve gjenitale i marrin organe të tjera – për shembull, në mungesë të herdheve, ose të testeve (siç i quajmë ne mjekët), spermën fillon ta prodhojë shtylla kurrizore. Unë kam pasur një pacient që arrinte të prodhonte spermë edhe me fshikëzën e tëmblit. Përndryshe, provë e tërthortë e tezës sime është edhe fakti që disa burra nuk bëjnë dot fëmijë, edhe pse i kanë organet gjenitale.
OBOBO NEWS: Populli i ka shpjeguar ndryshe raste të tilla, dhe pikërisht me atë që funksionet specifike të disa burrave i marrin burra të tjerë.
AKASH: Kjo nuk ia cenon thelbin tezës sime.
OBOBO NEWS: Pse u mungon femrave prostata?
AKASH: Një pyetje që është e vështirë t’i përgjigjesh: sepse femrat mund të kenë prostatë, por shkenca nuk ua ka pikasur akoma. Ose nuk jetojnë aq gjatë, sa të zhvillojnë një të tillë. Por unë e them me siguri se prostata është një organ i panevojshëm për mashkullin si të tillë.
OBOBO NEWS: Le ta rifrazojmë pyetjen: pse u mungon burrave mitra? A nuk do të ishte mirë sikur edhe burrat të mbeteshin shtatzënë?
AKASH: Premisat e pyetjes suaj janë të gabuara, sa kohë që shtatzënia nuk ka lidhje me mitrën. Mitra është organi i periodave ose i menstruacioneve – që u sjellin vajzave dhe grave aq kokëçarje. Por unë kam vërtetuar se edhe meshkujt kanë menstruacione, minimale. Sa për shtatzëninë e meshkujve, kjo nuk mund të ndahet dot nga aftësia e femrave për të lënë meshkujt me barrë.
OBOBO NEWS: Disa homoseksualë nuk do të ishin dakord me këtë pohim.
AKASH: Dhe me shumë të drejtë.
OBOBO NEWS: A ka ndonjë lidhje midis kancerit dhe organeve të panevojshme? A mund të jetë kanceri, siç është shprehur dikush, shenjë se një organ nuk po përdoret?
AKASH: Kolegët e mi Goldstein, Silverstein dhe Bernstein, të tre nga universiteti i Lahores, fituan çmimin Bergstein, ekuivalent i Nobelit në lëmin e onkologjisë veterinarike, pasi konstatuan se kanceri i testeve nuk shfaqet në patokë të tredhur, të cilëve u janë hequr testet që në moshë të vogël. Unë vetë dyshoj fort se heqja profilaktike e organeve të panevojshme do të mbetet një opsion për të luftuar kancerin përkatës edhe për shumë vjet akoma; ose sa kohë që ende nuk kemi mësuar si të bashkëjetojmë me këtë sëmundje.
OBOBO NEWS: Çfarë mendimi keni për lukthin?
AKASH: Le ta sqaroj që në krye, se unë kam respekt të madh për lukthin. E megjithatë, mendoj se lukthi bën gjithashtu pjesë në organet që nuk na hyjnë në punë përveçse kur na manifestohet si urth. Unë vetë nuk kam lukth dhe as ia ndiej mungesën. Me siguri edhe ju nuk keni. E megjithatë, ja ku jemi, shëndoshë e mirë dhe urth-free, duke u fjalosur së bashku.
OBOBO NEWS: Le të flasim pak për pankreasin.
AKASH: Pankreasi është një organ që shërben si kundërpeshë e organeve të tjera: prandaj u duhet para së gjithash gjimnastëve dhe akrobatëve. Pankreasi është ai organ që mbush zbrazëtinë e vetvetishme në qendër të trupit: në mungesë të tij, trupi do të thithte vetveten, si vrimë e zezë.
OBOBO NEWS: A ka ndonjë organ që natyra nuk na e ka dhënë, por që do të ishte mirë që ta kishim?
AKASH: Mua personalisht do të më pëlqente të kisha brirë – të degëzuar dhe madhështorë, si të drerit. Por është çështje shijesh. Disa do të mirëprisnin bishtin e palloit. Ose edhe një bisht çfarëdo, xhanëm. Gruaja ime do të paguante gjysmën e pajës që më ka sjellë, për një fshikëz notimi si ajo e peshqve: ëndrra e saj është të kapërcejë me not ngushticën e Bosforit. Përkundrazi, kunata ime, e apasionuar pas pëlhurave të luksit ëndërron për një gjerdan gjëndrash mëndafshi, si ato të merimangave. Im bir, Nahini, dëshiron të prodhojë elektricitet. Gjithsekush prej nesh lakmon organin që i mungon, ndërkohë që na duhet të mësohemi me organet që na ka dhënë natyra.
OBOBO NEWS: Le të kthehemi te mushkënia e zezë. Sa kohë ju është dashur, për të arritur në përfundimin se ky është i vetmi organ madhor, pa të cilin njeriu nuk jeton dot?
AKASH: Përfundimin e kam arritur me rrugë intuitive. Çfarë do të thotë se kur nuk më pyet njeri, e di; por kur më pyesin nuk e di. Megjithatë, edhe mushkënia e zezë, ose mëlçia siç e quajnë disa, mund të zvogëlohet, ose të marrë forma të dëshiruara – për shembull unë kam operuar pacientë, që më kanë kërkuar që organi i tyre të ketë formën e ishullit të Qipros.
OBOBO NEWS: Me cilin organ e perceptojmë rrjedhën e kohës?
AKASH: Ka mendime se për këtë shërben makro-sistemi i qimeve.
OBOBO NEWS: Nëse është kështu, atëherë si duhet interpretuar fakti, i provuar në praktikë, që qimet vazhdojnë t’i rriten edhe të vdekurit?
AKASH: Siç ju thashë, problemi këtu ka të bëjë me përkufizimin që i japim jetës. Teologët, mistikët dhe filozofët mund të vazhdojnë të debatojnë mes tyre nëse ka jetë pas vdekjes; por shkenca tashmë e ka vërtetuar se vdekja e një organizmi kompleks është praktikisht e pamundur të përkufizohet si e tillë. Prandaj kemi nevojë që vdekja të përcaktohet me ligj ose, më mirë akoma, në kushtetutë.
OBOBO NEWS: A mund të dhurojnë të vdekurit organe?
AKASH: Pas një farë kohe, të vdekurit – në kuptimin konvencional ose juridik të këtij termi – mund t’u dhurojnë organe vetëm të vdekurve të tjerë.
OBOBO NEWS: A keni ndonjë mesazh tuajin për publikun që ju ndjek nga afër, të përkthyer, në Shqipëri dhe në Kosovë?
AKASH: Do t’ju kërkoja të më lexonin në origjinal.
OBOBO NEWS: Ju falënderojmë për bisedën kaq interesante dhe ju urojmë suksese në punën tuaj të palodhur për identifikimin e organeve të panevojshme në trup.
AKASH: Falemnderit juve.
© 2017, OBOBO NEWS & THE DAILY SUN