HARDKOR dështon

DËSHTON ORVATJA E PARË SHQIPTARE PËR TË PUSHTUAR TREGJET AMERIKANE TË PARANDALIMIT TË SHTATZANISË
OBOBO NEWS ia ka prezantuar tashmë lexuesit kompaninë shqiptaro-amerikane HARDKOR, të themeluar nga biznesmeni i njohur Dr. Risto Kordha e të specializuar në prodhime të lateksit për konsum të gjerë, kryesisht në fushë të mjeteve për parandalim mekanik të shtatzanisë.
Për fat të keq, zëvendëspresidenti i kompanisë, Timo Kordha, njoftoi sot në mëngjes se orvatja masive e HARDKOR për të pushtuar tregjet amerikane të preservativëve me prodhimet e veta novatore nuk pati sukses, dhe HARDKOR do të tërhiqet përfundimisht nga kjo ndërmarrje, pse nuk i përballon dot më humbjet e mëdha financiare.
OBOBO NEWS u lidh urgjentisht me telefon me vetë Dr. Risto Kordhën, për të mësuar diçka më tepër rreth kësaj katastrofe, aq më tepër në prag të vizitës historike të presidentit amerikan Bush në Shqipërinë e vogël.
“Tregu global i preservativit kontrollohet nga pak kompani shumëkombëshe,” shpjegoi zoti Kordha. “E reja që kërkoi të sillte HARDKOR mbështetej në anketimin shkencor të këtij tregu, për të parë nëse kishte ende vend për prodhime të reja, revolucionare.”
“Specialistët tanë zbuluan,” vazhdoi Dr. Kordha “se ndërsa tregun e mbizotëronin produkte të masës MEDIUM, LARGE, SUPER-SIZE, EXTRA-LARGE ose MAGNUM, produkte të tjera, të masave të tjera ekzistuese në terren, çuditërisht mungonin. Kishte një zbrazëti, dhe tregu nuk e duron dot zbrazëtinë. Nuk ka nevojë të jesh gjeni, për ta kuptuar se çfarë duhej bërë. Vendosëm prandaj të dalim njëkohësisht me dy modele të reja preservativësh: PENETREX SMALL, dhe PENETREX ULTRA SMALL.”
“Është ligj i pashkruar i ekonomisë së tregut, që të gjithëve u duhen plotësuar nevojat. Siç e ka thënë edhe Freudi, jo të gjithë meshkujt kanë organe seksuale të masës LARGE ose MAGNUM. Këtë e theksuam me forcë edhe në fushatën tonë infomerciale, në TV dhe në mediat, e cila na kushtoi rreth 1.5 miliard dollarë, po të kemi parasysh edhe reklamat që blemë jashtë Amerikës, në televizionin shtetëror kinez, dhe në dy kanale private në Turqi.”
Për katastrofën në shitjet Dr. Risto Kordha bën me faj globalizimin dhe metodat e egra të konkurrencës midis shumëkombësheve.
“Shumë qendra tregtare i refuzuan produktet tona, pse nuk donin të hynin në konflikt të hapur me korporatat shumëkombëshe. Tregu i preservativëve është dog eat dog – por ne ishim të përgatitur për këtë. Aq më tepër që, për nga cilësia dhe karakteristikat teknike, produktet tona PENETREX janë vlerësuar shumë më lart se produkte analoge TROJAN, LIFESTYLE dhe DUREX.”
HARDKOR, e cila zotëron edhe 51% të aksioneve të kompanisë OBOBO NEWS INC., nuk u dorëzua që me humbjen e betejës së parë.
“Gabimi im është se besova në klientin amerikan. Besova në instinktin e tij për t’u orientuar drejt në xhunglën e parandalimit mekanik të shtatzanisë. Isha i sigurt se kishte hapësirë për produktet tona inovative. Që këtej, së bashku me vëllezërit e mi Mitro dhe Qirko vendosëm të dalim me një produkt të ri, në dy versione: PENITRA MINI dhe PENITRA TINY.”
Fushata publicitare për këto dy produkte i kushtoi HARDKOR 2 miliard dollarë të tjera, duke përfshirë edhe një reklamë tepër të kushtueshme në Superbowl.
“PENITRA MINI nuk pati sukses madje as kur ua dhuruam shkollave të mesme dhe burgjeve federale; TINY shiti diçka në tregjet e specializuara të produkteve gay dhe S/M. Megjithatë, qëllimi ynë për të pushtuar konsumin e gjerë të preservativit nuk u arrit dot. E kotë të rrimë tani e të kërkojmë fajtorët.”
Megjithë këtë fiasko, HARDKOR mbetet e pranishme në biznesin amerikan dhe aksionet ende i tregtohen në Wall Street.
Në konferencën e sotme për shtyp, Timo Kordha la të kuptohej se HARDKOR po bëhet tani gati të investojë seriozisht në ndërtimin e urinoreve për gra në disa metropole amerikane dhe evropiane.
“Urinore vetëm për burra është seksizëm i kulluar,” theksoi zëvendëspresidenti Kordha. “Këtyre gjërave u ka kaluar koha. Gruaja moderne e emancipuar kërkon tashmë të ketë urinoret e veta; dhe ne do t’ua japim.”
Kjo do të kërkojë edhe një fushatë paraprake sensibilizuese të opinionit publik, për rëndësinë e sidomos domethënien kulturore të objektit.
“Këtë herë nuk ia lejojmë dot vetes të gabojmë,” përfundoi Timo Kordha.
© OBOBO NEWS/maj 2007

2 mendime mbi “HARDKOR dështon

  1. Duket që gazetaret e ON, me përvojën e hidhur të deritanishme, duhet të kishin bërë më tepër për shpërndarjen e atyre produkteve 😛

    P.s: Apo ndoshta, gazetarët e ON, për të mos treguar realitetin e hidhur, kanë sabotuar fushatën e reklamave 😛

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s