Një president me peshë

KUSKUZ: Nga të gjithë liderët botërorë, Sum Tifon, që është Presidenti i shtetit të vogël aziatik të Kamburit, në rrëzë të Himalajave, që prej vitit 2012, bie në sy për të kaluarën e tij të pazakontë, para se t’i futej dhe t’i kushtohej politikës.

Në fakt, Sum Tifoni ka qenë për vite me radhë kampion më parë kombëtar, pastaj edhe rajonal i mundjes së lirë, në peshën e rëndë.

“Unë tashmë nuk e ushtroj më mundjen,” thotë Presidenti Sum Tifon; “por mundja vazhdon të më ushtrojë mua.”

Lideri i Kamburit ka ndërtuar, mu në qendër të kryeqytetit Kuskuz, një pallat sporti që i kushtohet posaçërisht mundjes, dhe ku janë zhvilluar tashmë një numër aktivitetesh të rëndësishme në këtë sport, me pjesëmarrjen e mundësve më të shquar nga gjithë bota.

Personalisht ai është kujdesur që mundja të përfshihet në programet shkollore të Kamburit; i bindur se ky sport zhvillon në fëmijët dhe të rinjtë jo vetëm forcën fizike dhe shpejtësinë e reflekseve, por edhe mendjen e mprehtë dhe shpirtin kompetitiv.

Presidenti Sum Tifon e pranon se mundja i ka shërbyer edhe atij vetë si politikan, duke e ndihmuar që t’i përfytyrojë betejat e tij politike si përleshje me kundërshtarin në tapet.

Në bisedë me të, të gjithë e vënë re sa shpesh i përdor ai termat karakteristikë të këtij sporti, si “tuç”, “me shpatulla në tapet,” “kapje” ose “tetsh,” për të shpjeguar metaforikisht dinamikën e vizionit të tij politik dhe marrëdhëniet me opozitën.

I pyetur nëse i shkon ndonjëherë mendja të bëjë mundje me vizitorët e shumtë të studios së tij në Kuskuz, Presidenti Tifon qesh dhe thotë se, me mysafirët që i vijnë, do të preferonte që t’i fitonte dyluftimet me pikë, jo me tuç.

Në një takim ndërkombëtar të ish-mundësve, të zhvilluar vitin që shkoi në Alma-Ata, ai vërejti se nuk është e thënë që çdo ish-mundës t’i hyjë karrierës politike më pas; edhe pse, shtoi, eksperienca në mundje dhe në kontaktin e ngushtë fizik me tjetrin, prekja e pandërmjetësuar mes lëkurëve, era e athët e djersës së tjetrit, frika e këtij të fundit kur e kupton që e ka humbur davanë, dhe sinkronizimi i rrahjeve të zemrave, kur të dy mundësit rroken me njëri-tjetrin në përqafimin fatal, u jep këtyre atletëve avantazhe të mëdha në skenën politike.

Presidenti Tifon fton herë pas here për ndeshje miqësore të mundjes liderët rajonalë, edhe pse deri më tash askush nuk ka guxuar t’i dalë përballë.

Mundja është e gjitha psikologji, shpjegon ai; njëlloj si politika. Sikurse është edhe koncentrat i jetës – të ndihmon t’u dalësh përpara të papriturave dhe t’i shndërrosh virtytet e kundërshtarit në armë të tuat.

Qëkur Sum Tifoni ka marrë fuqinë në Kambur, në jetën e kryeqytetit Kuskuz janë gjallëruar jo vetëm sportet e rënda përfshi këtu edhe ngritjen e peshave, por edhe veprimtari satelite si masazhi terapeutik, masazhi erotik dhe trup-ndërtimi (body building).

I pyetur nëse ka ndonjë këshillë për t’u dhënë dhjetëra mijëra mundësve të rinj në Kambur dhe në krejt rajonin, Presidenti Tifon thotë: “Kam një këshillë të vetme – konsiderojeni mundjen si të ishte politikë; ku ka vend edhe për dredhinë edhe për gënjeshtrën, por ku në fund fitorja i buzëqesh atij që është treguar i sinqertë me veten.”

© OBOBO NEWS, 2015

Standard

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s