Grepi dhe shteti

Seria jonë për kryetarët e shteteve nuk do të ishte e plotë, pa përmendur zonjën Perigonda Malachi, Presidente e Federatës të Sulakut, një arkipelag i vogël, por i rëndësishëm, në Oqeanin Indian.

Para se të zgjidhej në detyrën e lartë, zonja Malachi kish bërë tashmë emër, si një nga qëndistaret më të shquara të Federatës, ndoshta të krejt Azisë. Punimet e saj ishin ekspozuar dhe kishin fituar çmime në disa nga panairet më të mëdha të artizanatit, përfshi atë të Peshawar-it dhe olimpiadën e qëndistarisë, në Ulan Bator të Mongolisë.

Presidentja e Federatës së Sulakut vjen nga një familje ku qëndistaria ka qenë traditë e trashëguar brez pas brezi; nëna e saj, Papalameda Malachi, pat fituar edhe ajo një medalje argjendi, në takimin botëror të artizanëve profesionistë të Azisë ishullore, të zhvilluar në Yokohama, në 1965.

Vizitorëve të zyrës së saj, në Koboza, kryeqytet i Federatës, u tërheqin vëmendjen qëndismat e mrekullueshme të varura në muret e pallateve të pritjes, përbri simboleve shtetërore dhe emblemave të shumta me natyrë historike dhe mistike.

embroidery_in_china925bf8b5125f1230a504

Zonja Malachi, përveç qëndismës, ka bërë emër edhe për çentrot e saj mbresëlënëse, të cilat gjithashtu janë ekspozuar në zyrën e saj dhe në institucione të tjera të larta të shtetit. Këto çentro paraqitin skena nga jeta e përditshme në Sulak, dharma budiste, ose riprodhime veprash arti të mirënjohura, si “Fytyra e Mae West”, e Salvador Dalí, ose “Konvergjenca” e Jackson Pollock.

Ajo e ka zakon që, gjatë bisedave me të ftuarit dhe bashkëpunëtorët, në Presidencë, të punojë me grep. “Grepi më ndihmon të përqendrohem,” shpjegon ajo. “Më hiq grepin, dhe më ke hequr vëmendjen ndaj punëve të shtetit, më ke hequr vendosmërinë për të shërbyer.”

Qëndistaria ruan një status social të lartë, në Federatën e Sulakut. Gratë e kanë zakon t’u tregojnë mysafirëve punimet e tyre, me teknika të ndryshme, shumë-ngjyrëshe, të sheshta ose me relief, ose trompe l’oeil. Çentrot e prodhuara me dorë në Sulak zbukurojnë disa nga tryezat më aristokratike të Indokinës dhe të Azisë Kontinentale; vlera e tyre arrin shifra marramendëse.

Kurioze është edhe tradita, tashmë e perënduar, për të qëndisur motive metafizike në rrobet e të afërmve të vdekur, të cilat pastaj ekspozohen në një dhomë të fshehtë në shtëpi.

Vetë zonja Malachi thuhet se ka qëndisur xhaketën e shpuar nga plumbi, të paraardhësit të saj Birutsi Kobol, të cilin e vranë me atentat ditën kur do të dorëzonte detyrën. Kjo xhaketë gjendet tani në korridorin e Të urtëve, në pallatin presidencial në Koboza.

Për t’u shënuar se, në Federatën e Sulakut, burrave u ndalohet me ligj qëndisja.

© OBOBO NEWS

Standard

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s