Behar hesapi

Udhëtimin e parë jashtë vendit presidenti i sapozgjedhur shqiptar dr. Bamir Topi do ta bëjë drejt ishullit piktoresk turk Bostan Bahçe, për të kaluar pushimet verore në shtëpinë e shkrimtarëve Ashik Konak.
Zëdhënësja e presidencës, Kristanthi Popoviç, shpjegoi se dr. Topi e kish prenotuar apartamentin në Ashik Konak para se të zgjidhej president, dhe se tani ishte tepër vonë për të gjitha palët që ky udhëtim të anulohej ose të shtyhej për një moment më të përshtatshëm.
“Janë prerë biletat, është prenotuar motobarka në portin e Izmirit, janë lajmëruar autoritetet lokale, është paguar suita në Ashik Konak, është miratuar menuja me prodhime deti tradicionale të Mesdheut,” tha Popovic.
Pyetjes së korrespondentes së agjencisë greke Ta Nea, nëse ky udhëtim i papritur i Topit duhej interpretuar si fillimi i një kthese ose orientimi proturk në politikën e jashtme shqiptare, Popovic iu përgjigj: “Jo”.
Agjencia jonë arriti të lidhet në telefon me drejtorin e shtëpisë së shkrimtarëve Ashik Konak, z. Kenan Kaldrëm, i cili e siguroi agjencinë dhe nëpërmjet agjencisë krejt publikun shqiptar, se institucioni që ai drejton i ka marrë të gjitha masat për të pritur mysafirin e nderuar.
“Kemi rezervuar për Dr. Topin po atë apartament ku, në të shkuarën, kanë qëndruar personalitete të mëdha të artit e të kulturës bashkëkohore, si Elfriede Jelinek, Garry Kasparov, José Carreras, Pippo Baudo dhe Lil’ Kim,” tha z. Kadrëm, i cili është edhe me origjinë shqiptare.
Ka të dhëna se kryeministri shqiptar, Prof. dr. Sali Berisha, është nxehur keq me vendimin e dr. Topit për të mos i prishur planet e pushimeve verore.
“E kisha pasur gati Fatos Bejën,” thuhet të ketë thënë Berisha me vete.
Në mungesë të presidentit të republikës, detyrat dhe kompetencat e tij i kalojnë Ministrit të Kulturës, Turizmit dhe Sporteve të Rënda, prof. dr. Ylli Pango; edhe pse askush nuk po e ftillon dot konstitucionalitetin e kësaj procedure.
Edi Rama, nga ana e vet, deklaroi se ruan konsideratën më të lartë për shtëpinë Ashik Konak, dhe drejtorin e saj, mikun e tij personal z. Kaldrëm.
© OBOBO NEWS/korrik 2007

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s