Kulturë dhe shëndet

Pak kulturë

Mbërriti dje në Shqipërinë e Veriut një delegacion gjahtarësh të zgjedhur të thiut nga katundet arbëreshe të Kalabrisë, i kryesuar nga dr. Vorea Vulku, mësues botanike me përvojë të madhe, ekolog, kinolog, ndërzimtarsh qensh race, filatelist, ventrilokist dhe rotarian i njohur në Italinë e Jugut. Delegacioni i bashkatdhetarëve u prit me një ceremoni të thjeshtë në portin e Shëngjinit nga kryetari i Bashkisë së Shëngjinit, dr. Gjergji Dirgja, i cili aty për aty shtroi edhe një darkë për mysafirët në mjediset e një peshkarexhe greke që qarkullonte në afërsi të zonës. Fjalën e rastit në darkë e mbajti dr. Behar Katramaja, drejtor i Muzeut Kombëtar të Xhandarmërisë, i cili ndër të tjera theksoi se gjahu i thiut në këto troje ka qenë praktikuar që në kohë të ilirëve dhe pikërisht nga fisi i përmendur i Domosdosëve, që sipas Strabonit e masakronin thiun ritualisht natën e ekuinoksit të vjeshtës. Vëllezërit tanë të përtejdetit, tha dr. Katramaja, e kanë ruajtur me xhelozi këtë traditë të bukur përkundrejt presionit të madh shkombëtarizues që u është bërë në shekuj. Dr. Astra Pashka, drejtoreshë e shkollës së mesme të Dajçit, lexoi kumtesën “Gjahu i thiut dhe elemente të së drejtës zakonore shqiptare”. Nënkapiteni i peshkarexhës greke (që nuk pranoi të identifikohej) u ndal në gjuetinë e derrit të detit (cerdus maritimus) në zonën e Zvërnecit. Më në fund, mes përtypjeve entuziaste të të pranishmëve, e mori fjalën vetë Dr. Vorea Vulku, i cili me lot në sy recitoi poemin “Gjaku inë i shprishur”, që e kishte shkruar me këtë rast, dhe që i preku pa masë darkëtarët, madje edhe orkestrinën e arixhinjve nga Mali i Zi. Të ftuarit në darkë u gostitën me mish thiu përgatitur posaçërisht nga nxënësit e shkollës së kuzhinës “Mamica Kastrioti” në Kavajë, sipas recetash tradicionale ofruar me bujari nga Arkivi i Shtetit, Tiranë. Delegacioni i gjahtarëve të zgjedhur të thiut nga katundet arbëreshe të Kalabrisë do të marrë pjesë në festivalin olimpik shqiptar të sportit ushtarak, që pritet të zhvillohet këto ditë në Orosh të Mirditës.

Pak shëndetësi

Drejtori i Spitalit ushtarak të Ishullit Lezhë, Prof. Dr. Kol Kola, konfirmoi për agjensinë tonë se gjendja shëndetësore e delegacionit të gjahtarëve nga katundet arbëreshe është mjaft e mirë. Siç u njoftua nga mediat e shumta, grupi i gjahtarëve kishte përfunduar me urgjencë në spitalin vendor, për shkak të diarresë akute (Acute diarrhea). Gjendja shëndetësore e botanistit të njohur dr. Vorea Vulkut, të ekspertit të peshkimit amatorial dr. Gjergji Dirgja, dhe balsamuesit dr. Behar Katramaja, fillimisht u duk tepër kritike.

Lajmet e para nga qendra e specializuar toksikologjike e Ishullit Lezhë, drejtuar nga prof. ass. Baftjar Topçiu, folën për infeksione të shkaktuara nga bakteret Escherichia coli, Campylobacter, Vibrio parahaemolyticus, Plesiomonas. Më pas u komunikua se kishim të bënim me viruset Rotavirus dhe Adenovirus.

Buletini i sotëm mjekësor nënvizoi se pacientët e famshëm janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe se fjalët dashakeqe, sipas të cilave ishte mishi i thiut që u shkaktoi sëmundjen, nuk kanë të bëjnë me realitetin dhe as mund të interpretohen nga pikëpamja fetare.

Pak rektifikim 

Në lajmin e djeshëm të OBOBO NEWS gabimisht shkruam:

“Më në fund, mes përtypjeve entuziaste të të pranishmëve, e mori fjalën vetë Dr. Vorea Vulku, i cili me lot në sy recitoi poemin “Gjaku inë i shprishur”, që e kishte shkruar me këtë rast, dhe që i preku pa masë darkëtarët.”

Siç na njofton zemërgjerësisht miku i madh i Shqipërisë, dramaturgu arbëresh Pushko Demetko, i cili ishte i pranishëm gjatë darkës fatale, titulli i poemit të Dr. Vulkut në të vërtetë ishte: “Gjahu inë i shprishur”.  

Me këtë rast i kërkojmë të falur autorit, lexuesit, dhe poemit vetë.

© OBOBO NEWS 2005

Një mendim mbi “Kulturë dhe shëndet

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s