Kur e meriton fitoren

Stafi i agjencisë OBOBO NEWS ka kënaqësinë të njoftojë se gazetarja e kësaj agjencie, zonjusha Kristanthi Popoviç, është një nga emrat e propozuar për presidente të republikës shqiptare e që po merret seriozisht në konsideratë nga negociatorët e partive kryesore.
Në krahasim me kandidatët e tjerë, tha një nga negociatorët që preferoi të mbetej anonim për publikun, Kristanthi Popoviç të paktën është e njohur nga masat e gjëra, për shkak të veprimtarisë së saj në radhët e shtypit të pavarur shqiptar. Sipas këtij negociatori, Popoviç është shumë afër konfirmimit në postin e lartë të presidentes, dhe gjithçka varet tashmë nga rezultatet e horoskopit që pritet të mbërrijnë në instancat përkatëse nga momenti në moment.
Vijon një biografi e shkurtër e kandidates së agjencisë sonë:
Kristanthi Popoviç lindi në fshatin piktoresk të Vidohovicës, rrëzë malit të Vërdovës, në një familje bujqish të rënë nga vakti. Pasi mbaroi me rezultate të shkëlqyera shkollën e mesme bujqësore të Krumës, vazhdoi studimet me korrespondencë në degën e shkencave veterinarike, të Institutit të Lartë Bujqësor të Zallit të Kirit.
Pas përfundimit të studimeve, Popoviç qëndroi ca kohë pa punë, dhe u fejua pak me shoferin kosovar të distancave të largëta Gani Alikadriu, i cili u vra pastaj gjatë një zënieje me thika në restorant “Pijavica”, afër Leskovikut. Pas kësaj, Popoviç u aktivizua si baby-sitter e trinjakëve të biznesmenit të madh vlleh Koli Kyçyktari, monopolist i distribucionit të barnave laksative për krejt Ballkanin perëndimor.
Në atë periudhë e me sakrifica mbinjerëzore Popoviç mësoi edhe artin e vështirë të daktilografimit, çka e ndihmoi për të hyrë në punë si kopiste pranë revistës së njohur “Zharretiera”, e cila arriti të nxjerrë në qarkullim vetëm një numër. Pas shpërndarjes së redaksisë së asaj reviste, Popoviç tërhoqi vëmendjen e themeluesit të agjencisë OBOBO NEWS, zotit Lotario Scaramanzino, i cili i propozoi një kontratë pune dy vjeçare, si korrespondente e posaçme e kësaj agjencie në zonat e nxehta të globit.
Si presidente e republikës shqiptare, thotë zonja Popoviç, do të mbroj me thonj e me dhëmbë interesat e minoriteteve, sidomos grave dhe fëmijëve; do të hap vende pune dhe do të tërheq investime të huaja; do të jap ndihmesën time modeste kundër ngrohjes globale; do të pakësoj emisionet e dyoksidit të karbonit; do të dërgoj satelitin e parë shqiptar në orbitë; dhe sidomos do të luftoj për ta futur Shqipërinë në NATO, në WTO, në GOSS, në MAMOST, në TTLD, në FATITO dhe sidomos në MATRAZO.
Është hera e parë që një grua e thjeshtë e popullit, për më tepër e pamartuar, ka mundësi reale të zgjidhet në postin e lartë të Presidentit, i tha agjencisë OBOBO zonjusha Eli Birinxhi-Flakadani, kryetare e shoqatës së grave beqare shqiptare dhe njëkohësisht feministe me famë botërore. Birinxhi-Flakadani nuk u mjaftua me kaq, por edhe i uroi zonjushës Popoviç të mbetej e pamartuar gjatë gjithë kohës që do të shërbente në atë detyrë publike.
© OBOBO NEWS/korrik 2007

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s