Lajm shqiptar

BIE NGA FIKU NUMRI DY I PD-SË BAMIR TOPI
Siç nuk është njoftuar nga asnjë agjenci lajmesh, dje pasdite ra aksidentalisht nga fiku, në oborr të shtëpisë së vet, numri dy i Partisë Demokratike, Bamir Topi, pasi u thye aksidentalisht dega ku ishte mbajtur.
Për fat të mirë, z. Topi shpëtoi paq vetëm me disa gërvishtje dhe një shembje të këllkut të djathtë; por u dëmtua rëndë daci i biznesmenit Pali Shuke, i cili gjendej rastësisht nën fik.
Në vendin e ngjarjes mbërritën me shpejtësi anëtarë të qeverisë e të kryesisë së PD-së; përfaqësues të OJQ-ve dhe të komuniteteve fetare; dhe të ambasadave të akredituara në Republikën Shqiptare.
Në orën 19:00, në shtëpinë e të rrëzuarit bëri një vizitë kortezie kryetari i këshillit të ministrave, prof. dr. Sali Berisha, i shoqëruar nga zonja e parë dhe nga disa zonja të dyta të paidentifikuara. “Të shkuara,” u tha t’i ketë thënë prof. dr. Berisha kolegut Topi.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe kreu i opozitës Edi Rama dërgoi me këtë rast një mesazh urimi për shërim të shpejtë dhe një shportë simbolike me ushqime të freskëta deti, të cilat z. Topi i preferon veçanërisht.
Një arkë me verëra të zgjedhura franceze dërgoi ish-ministri i jashtëm, z. Besnik Mustafaj.
Në orën 21:00, me dekret të posaçëm e të jashtëzakonshëm, presidenti i republikës z. Alfred Moisiu i akordoi z. Topi urdhrin “Thyhem por s’përkulem” të shkallës së dytë. Deri tani, ky urdhër i është dhënë vetëm ish-sekretarit amerikan të mbrojtjes, Donald Rumsfeld, dhe futbollistit të njohur Igli Tare.
Në orën 22:00, vetë z. Topi dha një deklaratë të shkurtër për mediat, ku ndër të tjera paralajmëroi popullatën për rrezikun që paraqet pema e fikut. “I ka degët të dobëta,” tha z. Topi, “edhe pse mund të duken solide dhe të shëndetshme.”
Mos iu ngjitni fikut – ky ishte mesazhi i z. Topi për publikun dashamirës të televizioneve publike e private, të cilat e transmetuan deklaratën e tij drejtpërsëdrejti, dhe njëkohësisht.
Ndërkohë, u tha se prokuroria e përgjithshme ka hapur një hetim për ngjarjen, meqë pema e fikut nga ku u rrëzua eksponenti i lartë i PD-së mund të jetë sabotuar nga njerëz që nuk ia duan të mirën z. Topi dhe krahut të moderuar që ai përfaqëson.
U tha edhe se z. Berisha, i shqetësuar pa masë nga ky incident, mund të urdhërojë prerjen e të gjithë fiqve brenda vijës së verdhë, para vizitës së parashikuar të presidentit Bush në Tiranë në fillim të qershorit.
© OBOBO NEWS/maj 2007

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s