Konferencë shtypi

Më në fund, korrespondentja jonë e palodhur Kristanthi Popoviç u la të marrë pjesë në një nga konferencat e shpeshta për shtyp të zëdhënësit të ri kryeministror Shat Përroi.
Si rrallë herë, konferenca e djeshme u përqendrua në incidentin e shumëpërfolur me orën e Bushit gjatë vizitës së presidentit amerikan në Fushë-Krujë.
Nuk ka asnjë incident, tha Shat Përroi. Ka vetëm një mori interpretimesh në kërkim të një fakti që mungon.
Në vazhdim, zëdhënësi Përroi u përmendi me durim gazetarëve disa nga këto interpretime.
Shërbimet sekrete ruse, tha ai, kanë lejuar të qarkullojë hipotezën se e ashtuquajtura orë e Bushit ishte në të vërtetë një dispozitiv sigurshmërie i cili doli jashtë përdorimit dhe lëshoi sinjal vështirësie në momentin që presidenti amerikan u përqafua me ish-kryemagazinierin e Institutit të Fizikës Bërthamore, kandidat i shkencave Fatmadh Kongjilli, i cili tani mbarështon një fermë modeste strucësh në të dalë të aeroportit të Rinasit.
Ky sinjal kaq i papritur, shpjegoi Përroi, qenkësh interceptuar nga astronauti sovjetik Valeri Valerianoviç Garashanin, kryepërgjues në stacionin orbital MIR, i cili paskësh njoftuar padronët e vet në Kremlin, Beograd dhe Athinë.
Nga ana tjetër, një zyrtar i paidentifikuar i Scotland Yard i paska thënë atasheut tonë ushtarak në Londër, gjeneral marshall Rrok Ndou, se gjatë një bisede telefonike private midis Tony Blair dhe zonjës Laura Bush, kjo e fundit i është rrëfyer kryeministrit britanik se i shoqi e kish hequr orën nga dora teksa gatitej për të bërë grusht me një provokator të fëlliqur që i kishte folur nga turma.
Pyetjes nëse ishte fjala për armatorin grek Anastasios Fallokratikos, i cili kishte arritur t’u vidhej truprojeve të shumta amerikane, shqiptare dhe amerikano-shqiptare, për t’iu avitur zonjës së parë e për t’i dhuruar tinëzisht një karafil tradicional të Pireut, Shat Përroi preferoi të mos i përgjigjej.
Ky karafil, shpjegoi megjithatë Përroi, gjendet tani në zotërim të organeve tona të Rendit.
Një hipotezë e tretë pretendon se presidenti amerikan e hoqi përkohësisht orën për t’u sinjalizuar ndihmësve të vet, në bazë të një kodi të paravendosur, që t’i bënin një zile në celular, çka do t’i jepte pretekst të mirë për ta shkurtuar fushatën fushëkrutane. Valeri Valerianoviç Garashanin, që nga orbita, konfirmon se një telefonatë e tillë përnjimend u krye, por ndeshi në mesazherinë automatike të shërbimit Alb-Telecom; meqë presidenti amerikan nuk e paskësh pasur telefonin me vete.
Agjencia TA NJUG, me këtë rast, ka spekuluar se Bushit i “humbi” celulari gjatë takimit kokë më kokë me kryetaren honorifike të shoqatës së miqësisë shqiptaro-amerikane, zonjën Doloresa Lulushi; por e vërteta është se ky telefon u gjet pastaj në një kosh plehrash presidenciale të Pallatit të Brigadave me qarqet gjysmë të shkrumbuara, pas gjase për shkak të një sinjali EMP të lëshuar aksidentalisht prej korvetës amerikane “Paris Hilton”, që po patrullonte në ato momente grykëderdhjen e Ishmit.
Gazetarja jonë Popoviç e pyeti zëdhënësin kryeministror Përroi nëse ishte e vërtetë se presidenti amerikan, gjatë një takimi me të dërguarin tonë të posaçëm pranë Shtëpisë së Bardhë, prof. Pal Paloka, kishte shprehur mendimin që presidenti i ardhshëm i Shqipërisë të zgjidhej me konsensus nga radhët e popullit punonjës të Fushë-Krujës. Përroi nuk e përgënjeshtroi këtë, por shpjegoi edhe se gjatë vizitës, mysafirit të shquar iu dhurua një pllakë prej mermeri të Qafë-Shtamës, ku ishin gdhendur me shkronja ari emrat dhe sidomos mbiemrat e kandidatëve presidencialë në Shqipëri.
© OBOBO NEWS/qershor 2007

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s