VEJUSHA E ZEZË GODET EDHE NË DIASPORË
Vetëm ndihma e menjëhershme e bashkatdhetarëve shpëton nga kthetrat e vdekjes aktivistin atdhetar prof. Kristo Martiko.
MOSHOLU PARK, NY: Sikurse njofton korrespondenti ynë vullnetar në Bronx, NY, z. Nexhdet Xhamaxhi, mbrëmë rreth orës 19:43 PM aktivisti i shquar i komunitetit, historiani ushtarak prof. Kristo Martiko, u pickua befasisht nga vejusha e zezë teksa po shplodhej pak minuta në një stol të parkut së bashku me shtatë bashkatdhetarë të tjerë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Sanxhaku. Ndihmën e parë profesorit ia dha mjeku i talentuar shqiptar, dr. Teufik Alijonuzi, i cili pa vështirësi e identifikoi plagën e pickimit në të ndenjurën e majtë të prof. Martikos rreth 47 mm në veriperëndim të orificit rektal, në një kohë që bashkëshortja e profesorit, poetja e njohur elegjiake Elpiniqi Martiko, i telefonoi me celular spitalit më të afërt Montefiore për të kërkuar dërgimin e menjëhershëm të helikopterit dhe vjehrra e të pickuarit Thomaidha Mitrojorgji aplikoi në plagë me lot në sy një mjekim të lehtë popullor me bojë xhela këpucësh së bashku me një formulë tradicionale kundër syrit të keq. Në pritje të helikopterit, prof. Kristo Martiko, edhe pse i mbërthyer nga ngërçe dhimbjesh të papërshkruara e duke i diktuar gojarisht porositë e fundit shoqes së jetës Elpiniqi, i deklaroi korrespondentit tonë vullnetar se nuk e kishte idenë nga mund të kishte mbërritur insekti vrastar në Mosholu Park të Bronx-it, por pranoi se një natë më parë kishte marrë pjesë si i ftuar nderi në festimin e ditëlindjes së atdhetarit të madh Pashk Ndue Tuzi, në Yonkers, me pjesëmarrjen edhe të diplomatëve nga Republika Shqiptare të akredituar në NYC dhe përfaqësuesve të zgjedhur nga komuniteti shqiptar në Massachussets që mbërritën atje me makinat që u kishte vënë në dispozicion komuniteti me përjashtim të diplomatëve që erdhën me makinat e tyre dhe i parkuan vetë në vendet e destinuara për këtë qëllim.
© OBOBO NEWS/korrik 2006