Vizitë në kohën e duhur

Bëhet e ditur se dje mbërriti në vendin tonë, për një vizitë disaditore, Anticikloni i Azoreve. Miku i shquar, të cilit i uroi mirëseardhjen në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit ministrja i Shirave dhe Thatësirës, zonja Bardha Ylli, u prit pastaj në takime të veçanta nga kryetari i Këshillit të Ministrave, z. Edi Rama; kryetari i Parlamentit të Republikës z. Ilir Meta; dhe Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani. Në këto takime u theksua vullneti i përbashkët i të dy palëve për të forcuar më tej marrëdhëniet, mbi bazën e parimeve të reciprocitetit, të mosndërhyrjes dhe të fqinjësisë së mirë.

Anticikloni i Azoreve vlerësoi rolin e rëndësishëm të Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të motit në Ballkan dhe në Europë veçanërisht gjatë stinës së verës si dhe foli për perspektivat e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe, në kuadrin e Aleancës së Atlantikut Verior dhe më gjerë. Në fjalën e tyre, krerët e lartë të pushtetit dhe të shtetit theksuan mirënjohjen e Shqipërisë për politikat dashamirëse të Anticiklonit këto vitet e fundit; duke vënë në dukje edhe se moti i mirë dhe i kthjellët është kusht i domosdoshëm për integrimin europian të vendit si dhe për zhvillimin normal të turizmit në natyrën e mrekullueshme shqiptare.

U fol edhe për nevojën e ruajtjes dhe rijetëzimit të traditës klimatike dhe klimaterike në Shqipëri, në kuadrin e programit “Vazoja e Pandorës”, të akorduar nga Agjencia Europiane e Klimës së Mirë, me ndërmjetësimin e Organizatës Botërore të Erërave (OBE). Anticikloni i Azoreve u prit në takime të veçanta edhe nga Kryetari i Këshillit Kombëtar të Oqeanografisë, prof. dr. Ndrek Brekusha dhe nga Zv.Shefi i Shërbimit Meteorologjik Shtetëror të Kosovës, prof. dr. Ag Zalli, i mbërritur posaçërisht nga Prishtina.

(c) OBOBO NEWS

Standard

Një mendim mbi “Vizitë në kohën e duhur

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s