TUMENISHT: Duke përfituar nga një fundjave tejet i zgjatur në Shqipëri, dhe nga vështirësitë që ka shkaktuar moti i keq në zonat verilindore të vendit, serbët u vodhën shqiptarëve një figurë minore të epopesë skënderbejane, dhe pikërisht fisnikun Viç Branko, i cili sot e tutje nuk do të jetë më pjesë e bashkëluftëtarëve të heroit tonë kombëtar.
Historiani serb Oliver Shimdiq, në një artikull të botuar me pseudonim në blogun e vet, pretendoi se i ka bërë një lexim të ri emrit të atij fisniku, si pasojë e të cilit ka arritur në versionin Branko Viçi, ose Brankoviçi; duke shtuar se ishte e zakonshme që në mesjetë njerëzit të njiheshin vetëm nga mbiemri dhe emri, nëse duhej, mund të përftohej duke e ndarë mbiemrin në pjesë.
Sipas historianëve shqiptarë, dhe veçanërisht studiuesit Elzet Gërbi, Viç Branko ka qenë i pranishëm gjatë Kuvendit të Lezhës, si përfaqësues i trevave të Rrogozhinës; por më vonë rezulton i vrarë pas një konflikti me të motrat e Gjergj Kastriotit, në lidhje me emrin e vërtetë të babait – Gjon, Ivan, Joan, Jovan, Johannes, Joanus, apo Iannis? Humanisti i madh Marin Beçikemi tregon në kujtimet e veta se Viçi mori nga një goditje thike për çdo version të emrit; derisa dha shpirt.
Akademia e Shkencave në Tiranë, Shoqata për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Shoqata e Veteranëve të Epopesë Antiosmane dhe forumi intelektual online Bretkosat, me një deklaratë të përbashkët sot në mëngjes, premtuan se po bëjnë gati dokumentacionin për ta paditur historianin Oliver Shimdiq në Gjykatën e Strasburgut; meqë çdo përpjekje për të hedhur baltë mbi figurën e luftëtarit Viç Branko, dhe për t’ia ndërruar emrin në Branko-Viç është në kundërshtim me faktet dhe fyen jo vetëm të vërtetën historike, por edhe një popull të tërë si yni.
© OBOBO NEWS