Fatalitete

LINZE: Bëhet e ditur se mjeku pediatër Jashar Progri, i cili vetëm një javë më parë ishte propozuar si kandidat për president të republikës nga Partia e Progresit Përparimtar, u godit mbrëmë në anën e djathtë të kokës nga një meteorit i vogël, kur po kalibronte depozitën e vet të ujit në çatinë e pallatit ku banon; dhe gjendet tani në komë farmaceutike, në qendrën spitalore të traumave të rënda “Nënë Pashakoja” të Paskuqanit. Dr. Progri, i cili ditët e fundit ishte ankuar edhe për rënie të mprehtësisë së shikimit në syrin e djathtë, dridhje të njërit gju dhe vështirësi për t’u ngritur menjëherë nga karrikja ose poltrona e veturës, vuante prej kohësh nga myku në shputat e të dy këmbëve dhe një hernie inguinale të cilën e kishte operuar dy herë, por pa sukses, në spitalin ushtarak të xhenjos në Bishtin e Pallës. E shoqja, nëndrejtoresha e Arkivit Kombëtar, dr. shk. hist. Veselina Kardhashi-Progri, tha se nuk e priste që shoku i saj i jetës prej 25 vjetësh, të goditej nga meteoriti i mallkuar kaq pak ditë pasi ishte propozuar si kandidat për president të republikës, por se gjëra më të çuditshme kishin ndodhur, dhe se ajo vetë e kishte parashikuar disfatën elektorale të të shoqit nëpërmjet një ëndrre të paspecifikuar të cilën e kishte botuar pastaj menjëherë gazeta “Tirana Observer” në edicionin e mbrëmjes të pardjeshme. Veselina Kardhashi-Progri, e cila muajin që shkoi i ishte nënshtruar me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale të histerektomisë, splenektomisë dhe kolecistektomisë njëkohësisht, tha se kishte besim të plotë në mjekët e qendrës spitalore të traumave të rënda “Nënë Pashakoja” dhe se me këtë rast i shoqi ndoshta edhe bindej prej kolegëve të bënte më në fund operacionin për zgjerim të rektumit, të cilin po e shtynte prej kohësh. Bashkëshortët Progri e njohën njëri-tjetrin në vjeshtën e largët të vitit 1982, kur autobusi i markës “Ikarus” që po i transportonte drejt Llixhave të Peshkopisë u vithis në një rrëpirë vrastare për shkak të një gabimi tragjik të shoferit rregullisht himariot Jorgo Gjikdede, dhe të dy përfunduan me gjymtyrë të thyera, madje zonja Kardhashi-Progri nuk e rifitoi dot më përdorimin e krahut të majtë, prandaj u detyrua ta braktisë punën e mëparshme si violiniste në orkestrën filarmonike të qytetit të Korçës, për t’iu kushtuar arkivimit të dorëshkrimeve muzikore dhe partiturave të kompozitorëve të mëdhenj shqiptarë të traditës. E pyetur nëse plagosja e rëndë edhe pse në dukje aksidentale e mjekut Jashar Progri menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Shqipëri dhe fillimit të krizës së brendshme në partinë më të madhe opozitare të vendit kishte ndonjë domethënie të veçantë për të cilën duhej njoftuar publiku, zonja Kardhashi-Progri tha se familja e saj ishte mësuar tashmë me katastrofat e njëpasnjëshme, njëlloj sikurse edhe vetë atdheu i saj, Shqipëria. Meteoriti që i përshkoi kafkën mjekut dhe qytetarit Progri iu dorëzua Muzeut të Shkencave të Natyrës në Tiranë, por përkohësisht do të mbahet në shtëpi nga drejtori i atij muzeu, emri i të cilit vështirë se do të mësohet ndonjëherë.
© OBOBO NEWS/korrik 2007

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s