Kapet gjermani i fundit

Sot në mëngjes, forcat e ndjekjes së shpejtë në bashkëpunim me disa gjahtarë italianë të rastit, ranë në kontakt me një njeri të egër në zonën e Bogës.

Pas një manovre të drejtuar me dorë të sigurt nga major Gjelosh Markgjekaj, ky person nuk i shpëtoi dot kurthit mjeshtëror dhe u kap i gjallë, për t’u shoqëruar menjëherë në Komisariatin e Qytetit të Shkodrës.

Atje, personi në fjalë, deklaroi me një gjermanishte të prishur se ishte ushtar i Wehrmacht-it, i quajtur Wurst Schnitzel, me numër matrikullimi 29111944; me origjinë nga Mannheim-i, ai kishte rreth 70 vjet që jetonte si eremit në pyjet e zonës.

Pjesë e divizionit 297 të këmbësorisë gjermane, Korporali Schnitzel ishte shkëputur nga reparti i vet, gjatë zbythjes në vjeshtë të vitit 1944, pasi kishte urinuar natën anës rrugës afër Milotit, dhe pastaj e kish humbur orientimin dhe kish gjetur strehë në thellësi të hinterlandit.

Duke pasur frikë se mund të kapej prej forcave të UNÇL-së, ai vendosi të mbijetonte me vite, falë eksperiencës dhe shprehive prej bojskauti, që kishte fituar qëkur fare i ri; duke u ushqyer me milingona, fara pishe dhe bimë mjekësore, për të cilat ajo zonë njihet në mbarë botën.

Edhe pse 90 vjeç dhe pa asnjë dhëmb në gojë, Wurst Schnitzel u deklarua në gjendje të mirë shëndetësore nga mjeku ligjor, dr. Isuf Kallarati.

I kapuri nuk ishte në gjendje të thoshte se sa vjet kishin kaluar që nga nata e urinimit fatal; dhe nuk dinte nëse Lufta II Botërore kishte përfunduar apo jo.

Ambasada gjermane në Tiranë, nëpërmjet zëdhënëses Alina Melina, konfirmoi se një Wurst Schnitzel nga Mannheim-i figuronte vërtet në listat e të humburve të Wehmacht-it.

Me këtë rast, prof. Baruch Fischkopf, që është duke shkruar Historinë e Shqipërisë nga e para dhe ashtu siç duhet, deklaroi se – në bazë të kësaj ngjarjeje të papritur – i rezulton se Shqipëria nuk është çliruar akoma.

Kapja e këtij ekzemplari nazist, shpjegoi ai, tregoi se ende jemi larg versionit përfundimtar të çfarë ka ndodhur pikërisht në fund të vitit 1944 në Shqipëri.

Korporali Wurst Schnitzel ka kërkuar që ta lënë të kthehet në pyll (Urwald), sepse tashmë është mësuar me bishat dhe çajrat terapeutike lokale dhe nuk dëshiron që ta mbyllë jetën në ndonjë azil pleqsh, në Gjermani ose kudo tjetër.

E entuziazmuar pa masë nga ky lajm, Presidenca e Republikës i akordoi menjëherë zotit Schnitzel Urdhrin e Lartë të Malësisë Shqiptare, për heroizëm të treguar në mbijetesë dhe për provën e gjallë të mikpritjes dhe të vlerave të larta turistike të natyrës sonë.

Tani i gjithë kombi po mban frymën, për të dëgjuar se çfarë do të thotë korporali gjerman nesër mbrëma në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut.

(c) OBOBO NEWS

Standard

4 mendime mbi “Kapet gjermani i fundit

  1. Pa tjeter qe eshte i futur nga saliu ,per te thene se partizanet nuk e kan cliruar end vendin. Vetem mendja e ndritur e tij ,saliut beri qe gjermani te dal sheshit,edhe per faktin se nuk ka me pyje ku te jetoj. Bravo SALI

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s