Me temperaturat tepër të larta të kësaj vere dhe zjarret e shumta që po i lodhin e i shqetësojnë pa masë qytetarët, opinioni publik është duke u bindur se gjendja e Shërbimit Zjarrfikës në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar.
“Mungojnë uniformat, benzina për automjetet, shpesh edhe uji. Makinat detyrohen të shkojnë e të mbushin ujë në çezmat urbane, ndonjëherë edhe drejtpërdrejt nga kanalet e ujërave të verdha,” i tha agjencisë OBOBO kolonel Shahin Shahinllari, shef i MKZ-së për qytetet e mëdha, pranë Presidencës së Republikës.
“Zjarrfikësit janë të pamotivuar, vijnë vonë në punë, luajnë shumë domino ose xing, ankohen për pagat e ulëta.”
Përkundrazi, në qytezën e vogël të Drojës, në distriktin e Mamurrasit, zjarret fiken në mënyrë të shkëlqyer, dhe popullsia nuk ankohet më. Në të vërtetë, shërbimi zjarrfikës për krejt distriktin e Mamurrasit menaxhohet nga një kompani private austriake.
“Jemi shumë të kënaqur,” shprehet kryetari i bashkisë së Drojës, Drin Dardaku; i cili i ka shkruar një letër falënderimi, me këtë temë, edhe presidentit amerikan ose udhëheqësit të botës së lirë George Bush.
Zgjidhja krijuese e qytetarëve të Drojës nuk u ka shpëtuar analistëve të shumtë në mass mediat e Tiranës, edhe pse tashmë të mbingarkuar nga tensioni i shtuar i këtyre ditëve.
“Ka ardhur koha që shërbimi zjarrfikës të privatizohet,” thotë prof. Dashi Zadeja, libertarian i njohur për qëndrimet e veta radikale ndaj çështjesh që kanë të bëjnë me ekonominë e tregut. “Shteti nuk u përgjigjet dot kërkesave të kohës. Zjarret e sotme nuk janë ato të 20 vjetëve më parë; dhe sfidat ndaj zjarrfikësit shqiptar nuk mund të përballohen me rrugë burokratike. Me fjalë të tjera, me këtë shërbim zjarrfikës që kemi, nuk hyjmë dot në Evropë.”
Gjatë emisionit të mbrëmshëm “Kaq Nuk Mjafton!”, transmetuar live nga Topless Channel, prof. Dashi Zadeja u mundua provokativisht t’i telefononte shërbimit zjarrfikës të kryeqytetit, por linjat ishin rregullisht të zëna, gjatë dy orëve që vazhdoi emisioni.
“Vetëm zjarrfikësi privat siguron atë cilësi dhe shpejtësi shërbimi pa të cilin nuk mund të realizohet modernizimi i infrastrukturës,” shpjegon prof. Dashi Zadeja. “Kjo ka të bëjë edhe me konkurrencën midis shërbimeve të ndryshme zjarrfikëse, e cila do të shpjerë vetvetiu në ulje të tarifave përkatëse.”
Në Drojë të Mamurrasit, shërbimi paguhet me para në dorë nga qytetarët, në momentin që zjarrfikësit mbërrijnë në vendin e ngjarjes.
“Zjarrfikësi privat modern,” shpjegon më tej prof. Dashi Zadeja, “mund të pranojë edhe të paguhet me kartë krediti ose debiti. Janë shumë të paktë ata qytetarë të cilëve do t’u mbahej dora, kur vjen puna për të shpëtuar frytet e punës së një jete; larg qoftë edhe fëmijët ose dorëshkrimet e rralla e të pazëvendësueshme.”
“Vetëm të fiket zjarri, të keqen nëna,” thotë plaka Fotini Nikaj, e cila nuk dihet pse u gjend në afërsi të korrespondentes sonë. “Të tjerat rregullohen”.
“Kjo qeveri,” përfundon prof. Dashi Zadeja, “e ka humbur të drejtën morale të kontribuojë në zjarrfikjet publike. Ka ardhur koha që monopoli i shtetit mbi shërbime të tilla themelore si fikja e zjarreve të marrë fund.”
© OBOBO NEWS/korrik 2007