Lajm i mirëpritur

Dy lajme tronditën sot politikën në Tiranë: që Shqipëria nuk ka shumë gjasa për t’u pranuar në NATO në vitin 2008 dhe që Maqedonia vendosi t’i mbyllë portat e Drinit të Zi, duke e shndërruar lumin më energjetik shqiptar në një kopje të zbehtë të Lanës kryeqytetase.
Me këtë rast dhe i shqetësuar pa masë, kryeministri Sali Berisha mblodhi qeverinë, Presidencën e Republikës dhe opozitën e majtë, në një takim të jashtëzakonshëm.
Në takim merrnin pjesë edhe disa zonja të para, dhe një numër i madh zonjash të dyta dhe të treta.
“Ju nuk keni më fytyrë t’i dilni përpara popullit,” u tha t’i ketë thënë kryeministri Berisha ajkës politike të vendit. “Prandaj, i kam propozuar parlamentit të kalojë, me procedurë të përshpejtuar, ligjin për mbulimin e politikanëve në publik.”
Zëra për përgatitjen e një projektligji të tillë qarkullonin prej kohësh. Indiskrecione nga Topless Channel dhe Bashkia e Tiranës parashikonin një kthesë në public relations të tillë që t’ua ndalonte politikanëve shqiptarë të dilnin në TV, gjatë orareve kur mund të shiheshin edhe prej fëmijëve.
“Këtej e tutje,” u tha të ketë thënë Berisha, “asnjë politikan, duke përfshirë edhe të nënshkruarin, nuk do të shfaqet në publik i pambuluar.”
Më tej ai u tha të ketë sqaruar se ka urdhëruar ndihmësit e vet të përpilojnë rregulloren teknike për mbulimin e politikanëve, duke u këshilluar edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komuniteteve fetare në vend.
“Kjo masë e nevojshme imponohet nga situata e vështirë që po kalon Shqipëria,” u shpjegoi gazetarëve zëdhënësi qeveritar Shat Përroi. “Ajo ka për qëllim të mbrojë qytetarët nga brutaliteti i imazhit të politikanit, në këtë epokë dështimesh.”
Shat Përroi e përjashtoi mundësinë që ligji për mbulimin e politikanëve në publik të ketë ndonjë lidhje çfarëdo me disa praktika të ngjashme në komunitetin islamik.
Edhe prof. Andi Fagu, i vetmi filozof që i ka mbetur Shqipërisë, e përjashtoi këtë mundësi menjëherë. “Mbulimi i gruas në Islam synon të mbrojë gruan; mbulimi i politikanëve në Tiranë synon të mbrojë publikun, jo politikanët,” i tha Fagu në telefon korrespondentes së agjencisë OBOBO NEWS, Kristanthi Popoviç.
Megjithatë, prof. Fagu nuk e përjashtoi që një masë e tillë, tërthorazi, do të shërbejë edhe për mbrojtjen e politikanëve vetë.
Ferexhetë për politikanët janë porositur tashmë në Dubai, dhe pritet të mbërrijnë nga momenti në moment, me avion të posaçëm vënë në dispozicion të qeverisë shqiptare nga princi Bandhar Al-Barak Bahullah Al-Hassan, mik personal i naltmadhnisë Lekë Zogu, kandidat për pretendent të fronit të mbretërisë shqiptare.
Shat Përroi u tha gazetarëve se kandidati për pretendent përjashtohet nga detyrimi për t’u mbuluar, por është ofruar tashmë vullnetarisht për ta mbajtur ferexhenë në publik krah për krah me të fuqishmit, edhe pse askush nuk e bën me faj për katrahurën në Shqipëri.
Ndërkohë, konstitucionalistët e shumtë shqiptarë janë duke debatuar, në forumet e tyre online, për implikimet e mbulimit të politikanëve në veprimtarinë publike të institucioneve demokratike në Shqipëri.
Kryetari i Komitetit Shqiptar të Livorno-s, prof. Asllan Gaforri, shpjegoi se detyrimi i ferexhesë nuk mund t’u imponohet ambasadorëve të fuqive të mëdha në Tiranë si dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare.
U tha edhe se kryeministri Sali Berisha ka kërkuar edhe mbulimin e disa prej analistëve me të shquar, që u japin jetë e gjallëri mbrëmjeve televizive në Shqipëri.
Presidenti Topi u tha t’u ketë thënë gazetarëve se ligji do të hyjë në fuqi menjëherë, madje edhe pa u miratuar akoma nga ligjvënësit.
© OBOBO NEWS/shtator 2007

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s