Kulturë demokratike

TIRANE: Bëhet e ditur se qytetari Myfit Hallku, me banim në Mullet afër Tiranës, ka paditur një restorant luksi në kryeqytet pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Strasburgut.

Myfit Hallku, 53 vjeç, me profesion gjeometër, por përkohësisht i punësuar si agjent i shoqërisë së basteve sportive “Fitova”, ka paditur z. Koço Hareto, pronar i restorant “Mandolina” në Tiranë, për diskriminim për shkak të karakteristikave fizike, shkelje të të drejtave qytetare dhe dhunim të personit.

Sipas z. Sokrat Harallambi, që po e përfaqëson z. Myfit Hallku në këtë çështje, mbrëmjen e dt. 12 prill 2008 personi në fjalë ka qenë duke ngrënë darkë në restorant “Mandolina” në shoqëri të së fejuarës së vet, Gjyste Shtojza dhe djalit të zonjës Shtojza, Franc Bibaj, kur në lokal ka hyrë kryetari i bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama, së bashku me të bijën e Loreta Goggi-t, dhe një bodyguard izraelit. Z. Hallku pretendon se nuk e ka vënë re se kush ka hyrë në lokal, meqë ia kish kthyer shpinën derës kryesore dhe se nuk i interesonte as kush hynte, as kush dilte nga lokali, sa kohë që ai vetë ishte shëndoshë e mirë brenda.

Në momentin e hyrjes së Edi Ramës te “Mandolina”, zotit Hallku i është afruar kryekamarieri i lokalit, z. Kujtim Xunkthi, dhe i ka thënë që duhet të largohet nga lokali dhe kur z. Hallku është indinjuar pa masë dhe e ka pyetur kryekamarierin për arsyen se pse duhet të dalë nga lokali, ky i ka thënë se duhet të largohet që andej sepse i mbajnë erë të keqe këmbët. Pas kësaj, z. Xunkthi i shoqëruar nga dy persona të paidentifikuar, e kanë detyruar z. Hallku me forcë që të dalë nga restoranti, duke e shtyrë në kurriz dhe në ijet.

Z. Myfit Hallku, i cili është plagosur lehtë në zonën lumbare gjatë trazirave të vitit 1997, thotë se e ka frekuentuar restorant “Mandolina” edhe herë të tjera në të kaluarën, madje edhe kur atje kanë qenë duke ngrënë drekë ose darkë personalitete të mëdha të shtetit ose diplomatë të huaj si p.sh. Ari Haan, por asnjëherë nuk i është vënë në dukje se i mbajnë erë këmbët; dhe se ka mundësi që ftesa për t’u larguar nga restoranti të ketë të bëjë me faktin që ai ka votuar gjithnjë për Partinë e Ballit Kombëtar.

Kryekamarieri z. Kujtim Xunkthi i tha OBOBO NEWS në telefon se z. Hallku është qortuar edhe herë të tjera për problemin e erës së këmbëve, i cili po bëhej shkak për humbjen e klientelës së restorantit; dhe se do të kish dëbuar nga lokali këdo tjetër, madje edhe z. Edi Rama vetë, nëse do të konstatohej prania në atmosferë e erës së këmbëve përtej një caku minimal të pranuar nga ligji.

Nga ana tjetër, z. Sokrat Harallambi tha se era e këmbëve është diçka subjektive, e pamatshme dhe e lehtë për t’u abuzuar; dhe se askush nuk duhet të diskriminohet për shkak të erës së këmbëve, gojës, sqetullave, dyllit të veshëve, rrëzës së shalëve ose zonave të tjera trupore me ngarkesë të madhe bakteriale. Gjithashtu, në qoftë se restorant “Mandolina” kishte miratuar ndonjë politikë të trajtimit të diferencuar të klientëve në bazë të erës së trupit ose karakteristikave të tjera fizike, atëherë në bazë të dekretit no. 3066/52-C të Ministrisë së Shërbimeve Publike, botuar në Gazetën Zyrtare dt. 22 shkurt 2008, kjo duhej afishuar në një vend të dukshëm brenda territorit të restorantit, në mënyrë të tillë që të lexohej lirisht nga të gjithë klientët.

Z. Sokrat Harallambi shtoi se, edhe sikur të vërtetohej se klienti i tij kishte një problem me erën e këmbëve, kjo nuk vërtetonte kurrsesi se era e keqe në restorant “Mandolina” ishte shkaktuar doemos nga këmbët e z. Hallku; sepse fakti që në restorant kishte një person të njohur për erë këmbësh, nuk përjashtonte që në të njëjtin restorant mund të kishte edhe persona të tjerë me të njëjtin problem, ose probleme të ngjashme; dhe se z. Xunkthi, duke vendosur që t’ia mohojë shërbimin restorator z. Hallku dhe ta largojë me forcë nga territori i restorant “Mandolina”, ka paragjykuar rëndë çështjen, sepse nuk ka kryer një hetim të përgjithshëm të këmbëve të të gjithë klientëve në restorant, duke përfshirë edhe personelin e shërbimit.

Avokati Thimio Harallambi, i cili mbron interesat e z. Kujtim Xunkthi dhe pronarit të restorant “Mandolina”, z. Koço Hareto, tha se territori i restorantit duhet konsideruar si zonë ku nuk mund të ushtrohen lirisht të drejtat e qytetarit, aq më tepër kur një karakteristikë fizike si era e këmbëve mund të ketë impakt të drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e aktivitetit tregtar gastronomik që zhvillohet brenda atij territori. Aq më tepër që, sipas një dekreti tjetër të Ministrisë së Shërbimeve Publike, no. 3011/44-C, botuar në Gazetën Zyrtare dt. 19 shkurt 2008, një aktivitet tregtar nuk mund të lejojë afishimin, brenda territorit ku zhvillohet aktiviteti, të materialeve me natyrë të tillë që bien ndesh drejtpërdrejt me karakteristikat themelore të aktivitetit tregtar; prandaj një restorant, vërejti z. Thimio Harallambi, nuk mund të afishojë materiale të cilat cenojnë ndjeshmërinë gastronomike të klientëve të vet.

Mjekja e njohur dermatologe dr. Llambrini Ndoni, e kapur në Yahoo Instant Messaging nga OBOBO NEWS, deklaroi se era e këmbëve të një personi varet nga shumë faktorë, të tillë si trashëgimia biologjike, shprehitë higjienike, flora bakteriale e shputës së këmbës, flora bakteriale e këpucës ose atletes, materiali i këpucës ose atletes, stresi fizik, stresi psikologjik, temperatura e mjedisit, ushqimi që ka konsumuar personi, shkalla e hidratimit të lëkurës, medikamentet që mund të jetë duke marrë personi etj. Megjithatë, dr. Ndoni tha se edhe intensiteti i perceptimit të erës së këmbëve nga personi vetë ose nga persona të tjerë përreth varen nga faktorë që nuk mund të vlerësohen lehtë.

Z. Anisa Haznedari, e cila punon si ndihmëskamarjere te “Mandolina”, i deklaroi OBOBO NEWS se në momentin kur u dëbua nga lokali, z. Hallku i kishte hequr këpucët dhe po rrinte vetëm në çorape, madje i mbathur vetëm në çorape kishte përdorur banjon e burrave të restorantit, për t’u freskuar.

Z. Hallku tha se është e drejta e tij e pamohueshme dhe e pajetërsueshme, si qytetar, që t’i zbathë këpucët kur ndodhet në mjedise të mbyllura, aq më tepër kur është i detyruar të veprojë ashtu për shkak se i fryhen këmbët, si pasojë e disa problemeve kardio-vaskulare që kanë lidhje me plagosjen e tij, nga persona të panjohur, në vitin 1997. Ai gjithashtu shpjegoi se askush tjetër në restorant nuk do ta kish vënë re që i kishte hequr këpucët nën tavolinë, sikur të mos kish qenë i detyruar, nga një nevojë e ngutshme, të përdorte banjën e restorantit, por pa mundur të vishte dot në kohë këpucët ende të ngrohta, për shkak se këmbët i ishin fryrë edhe më tej, duke pritur që t’i shërbehej darka.

Z. Lluka Zotaj, i drejtorisë së informacionit të Bashkisë së Tiranës, tha se asnjë ankim nuk është bërë ndonjë herë nga kryetari Rama, as nga funksionarë të tjerë të lartë të kësaj bashkie, në lidhje me erën e këmbëve të myshterinjve të restorant “Mandolina”, edhe pse bashkia e Tiranës përkrah me forcë mjediset qytetare të pastra dhe të hapura për këdo, pa dallim race, kombësie, seksi, feje dhe invaliditeti fizik.

Z. Anisa Karamitraqi, zëvendëspresidente e Këshillit Kombëtar të të Drejtave Qytetare, tha se era e këmbëve të një qytetari nuk mund të vihet në një rrafsh me sjelljen ose gjestet e vullnetshme, por më tepër duhet marrë si një karakteristikë fizike e evitueshme. Ajo i përmendi OBOBO NEWS edhe një rast të ngjashëm që kishte ndodhur në qytetin e Shkodrës, ku një person i quajtur Rruza Rrshaja nuk ishte lejuar të futej në floktoren “Robinson”, për shkak të një infeksioni kronik të skalpit; si dhe një rast tjetër, në Mal të Zi, ku qytetari Dino Muhedini, nga Tuzi, ishte nxjerrë jashtë një laboratori të dhurimit të spermës, në Podgoricë, pasi ishte paraqitur atje i shoqëruar nga një prostitutë lokale.

© OBOBO NEWS

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s