KODRA E KUQE: Një tjetër anije e mbytur zbulohet këto ditë në ujërat shqiptare, i deklaroi agjencisë OBOBO shefja i departamentit të anijeve të mbytura pranë Institutit të Rekuperimeve Historike, znja. Shega Pelingu. Këtë herë, anija e mbytur fshihej në thellësinë e ujrave të Lanës, në zonën afër ish Ekspozitës Kineze. Wshtë fjala për një triremësh epirot të periudhës protoneolitike, që transportonte një ngarkesë majmunësh në brendësi të vendit, u tha gazetarëve z. Kamejkam Qizo, drejtor i përgjithshëm i muzeifikimit pranë Ministrisë së Mjedisit, i cili e zbuloi vetë reliken e nënujshme duke u zhytur kuturu me pajisje të thjeshta palumbarësh që sapo ia kishte dhuruar një turist qipriot me origjinë arvanitase. Një numër skeletesh majmunësh të llojit cercopithecus ascanius schmidti prej midis 220 dhe 604 u zbuluan në hambaret e anijes, të ruajtur shumë mirë, së bashku me kërcirin e djathtë të kapitenit dhe një statuetë të perëndisë Zojzi (ose Zeusi) që duhet të jetë gdhendur nga Fidias ose Praxiteles, tha z. Qizo. I pyetur nëse e ndien veten me fat pas kaq shumë zbulimesh të papritura, nën dhe mbi ujrat territoriale të republikës, z. Qizo tha se, për mendimin e tij, fati ose Fatum-i u dhuron diçka vetëm mendjeve të përgatitura.
© OBOBO NEWS 2005