LAPRAKE: Analistët e mediave të pavarura tashmë janë të një mendjeje: pas vizitës historike të Presidentit Bush, Shqipëria shpëtoi.
“Shpëtuam! Shpëtuam!” Këto fjalë dëgjoi dje korrespondentja jonë Krisanthi Popoviç në rrugët e stolisura për festë të kryeqytetit.
“Tani nuk mbetet më vend për dyshime,” tha Gjeto Zoja, analist financiar. “Edhe ata që deri dje nuk besonin, janë të detyruar të tërhiqen përpara fakteve.”
Që Shqipëria shpëtoi, këtë ta konfirmon edhe rapsodi pensionist Dodë Ndreu, amerikanofil i orëve të para. I ulur te pragu i portës së shtëpisë së tij modeste në Thumanë, Doda shoqëron mendueshëm me lahutë shekullore një frymëzim të çastit:
Ktij Xhorxh Bushit s’ju durue
Tryezës me grusht fort i ka mshue
Se edhe t’madhe ç’ka ligj’rue:
Njiqind fjalë, burra, p’r’i pare!
A me mëkambë tokën shqiptare,
Ase n’shpi tash ktheva filli,
E der’ nesër, tue marrë dielli,
Lëshue ia kam ushtrinë Ballkanit…
Takojmë tani aktivistin shoqëror dhe biznesmenin provincial Jorgo Bushi.
“Të gjithë më pyesin nëse kam të bëj familjarisht me Presidentin Amerikan,” thotë z. Bushi, pa zbritur nga fuoristrada. “U them: po a nuk është ai kushëri i të gjithë shqiptarëve sot?”
“Po e prisnim këtë ditë,” konfirmon Gjela Plumbi, edukatore çerdheje. “Këtej e tutje asgjë nuk mund të jetë më si më parë.”
“E putha në të dy faqet,” thotë Mamica Thomo. “Njërën faqe e kish të nxehtë, tjetrën të ftohtë.”
Presidenti Moisiu dekoroi, me një urdhër të paspecifikuar, drejtorin ad interim të firmës ndërtimore “Konaku” që instaloi në kohë rekord pllakën emërore në rrugën Presidenti George W. Bush.
“Unë vetëm bëra çka do të kish bërë çdo shqiptar në vendin tim,” tha drejtori i sapodekoruar Lavdosh Arzuhalli. “Jam krenar që ia arrita kësaj dite. Dua t’i jap presidentit amerikan këtë mesazh: count me in, buddy.”
Shumë familje në Shqipëri ende nuk kanë adresë postare të përcaktuar. Në disa lagje të reja të periferive, postën e shpërndajnë qentë.
Në të dalë të qytezës piktoreske të Fushë-Krujës, teto Polikseni ruan si sytë e ballit filxhanin e kafesë turke që ia piu në sofat njeriu më i fuqishëm i botës.
“Tani mund të marrim frymë lirisht,” thotë kryetari i komunës, Ullin Ziu. “Bushi e vendosi përfundimisht Fushë-Krujën në hartën e planetit.”
Takojmë edhe Jak Frrollin, nga Miloti, i akuzuar se ia vodhi orën e dorës presidentit amerikan, teksa ky po çmallej me turmat entuziaste.
“Janë mashtrime të atyre që nuk na duan të mirën,” thotë Frrolli, i cili ka një biznes të vogël veterinarie ambulante. “Presidenti amerikan ma dhuroi vetë orën, madje me autograf.”
Frrolli shton se nuk e priste t’i shihte Bushit një orë dore sovjetike të markës “GUB” dhe se ai vetë preferon orë të markës Kenneth Cole “timepiece”.
Një tjetër temë ka nisur tashmë të përcillet gojë më gojë në kafenetë buzë trotuarit të kësaj qyteze, që papritur e pa veten kryeqytet të planetit për njëzet minuta: vallë nuk është momenti për të kërkuar pavarësinë nga Tirana?
© OBOBO NEWS/qershor 2007
Më hoqe mallin e Qamil Buxhelit me shokë! Të lumtë!