Zëdhënësi i zyrës kryeministrore për Zhvillim Urban Bashkëkohor, z. Dhimitër Karamitri, zhvilloi sot një takim informativ me gazetarët, në kuadrin e diskutimit mediatik për hapjen e të ashtuquajturave “shtëpi publike” në qytetet kryesore të Shqipërisë. Është fjala për një zhvillim racional që do trajtuar me mendje të hapur, përtej limiteve bulevardeske të një logjike të skandalit, tha z. Karamitri, në një kohë që qeverisë i bie përgjegjësia për ta integruar industrinë erotike në strukturat ekonomike ekzistuese dhe sidomos për të paravështruar drejtimet kryesore të artikulimit të saj afatmesëm. Në kuadrin e atrofizimit të martesës tradicionale dhe të fetishizimit të hierarkive, shpjegoi më tej z. Karamitri, është në interes të institucioneve të ofrohen valvula shkarkimtare të energjive gjenitale të popullsisë mashkullore urbane, nëpërmjet krijimit të monitorizuar të qendrave tregtare erotike (QTE), në bashkëpunim edhe me shoqërinë civile dhe Departamentin e Epidemiologjisë Bashkëkohore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, duke garantuar njëkohesisht anonimitetin e të gjitha palëve transaksionuese. Përvoja e vendeve të tjera në këtë drejtim ka treguar se ushtrimi i erotizmit të kontrolluar dhe formalizimi i transaksionit seksual nëpërmjet delegimit gradual të autoritetit monetar jo vetëm që nuk e dëmton familjen shqiptare tradicionale, por garanton mbijetesën e saj në kushtet e ekonomisë së tregut dhe të partnerizimit të marrëdhënieve bashkëshortore. Dukurinë në fjalë unë nuk do ta quaja prostitucion, përfundoi z. Karamitri, sepse prostitucioni si term ka ngarkesë retorike të papranueshme dhe mbështetet mbi shndërrimin e hireve femërore në produkt të tregut të zi, në një kohë që qendrat tregtare erotike produktizojnë vetëm kënaqësinë përkatëse në pajtim me legjislacionin në fuqi, kombëtar dhe ndërkombëtar. Nuk pati pyetje.
© 2004 OBOBO NEWS