Shoqata “Mbroni Fëmijët” doli mbrëmë nga ilegaliteti, me një koktej të bujshëm në hotel Reugner.
“Erdhi edhe për ne momenti i përshtatshëm për t’iu prezantuar publikut,” na tha presidentja e MF, sociologia Arta Shashka.
Në koktej merrnin pjesë edhe punonjës të ambasadave të huaja në kryeqytet, si dhe truproje të VIPave të të gjitha ngjyrave.
“Në çdo fundviti, e kemi zakon të humbim mendjen pas qejfeve dhe tryezave e të harrojmë fëmijët tanë, ose të ardhmen e kombit,” tha Shashka.
Siç dihet, në fund të vitit e veçanërisht në festimet karakteristike të Vitit të Ri, skota e frikshme e politikanëve del prej restoranteve, pijetoreve, kuplarave, kazinove, parlamenteve, palestrave dhe krevateve, për të sulmuar fëmijët anembanë.
“Qëllimi ynë është të sensibilizojmë opinionin publik në Shqipëri,” tha Shashka, “për rrezikun e madh që u kërcënohet vocërrakëve.”
Timo Flluska, një psikoterapeut i specializuar në trauma infantile, u ndal në teknikat që përdorin politikanët për t’iu avitur tinëzisht fëmijëve, duke e ilustruar parashtresën e vet me diapozitiva nga veprimtaritë e ndryshme vitin që shkoi.
“Politikani,” tha Flluska, “tregohet i dashur dhe gazmor, i afrohet fëmijës nga mbrapa dhe e shkëput nga grupi i bashkëmoshatarëve, për ta ngritur në krahë ose marrë në prehër dhe për t’i pëshpëritur në vesh formula ndjellëse, si pretekst për t’ia ngjitur noçkën në fytyrë.”
Psikanaliza, shpjegoi Flluska, ka evidentuar tri elemente themelore që konsituojnë figurën armiqësore të politikanit në psiken infantile: (1) ngërdheshjen; (2) parfumin e aftershave; (3) erën e gojës.
Ngërdheshja, e cila e ka pikënisjen në trurin reptilian, nuk është veçse ekspozim i dhëmbëve, ose orvatje për paralizim të viktimës. Parfumi, përkundrejt erës së gojës, simbolizojnë përkundrazi reduktimin olfaktiv të diadës ferr-parajsë. Në të dy rastet, goja e politikanit shndërrohet në një portë të hapur drejt një realiteti sa transhendental, aq edhe të parezistueshëm.
“Fanepsja e politikanit në festat e fëmijëve shenjon startin e ritualit vampirist,” tha Flluska. Jo të gjithë fëmijët do të përfundojnë të kafshuar, të thithur e të shtrydhur prej ministrave, kryetarëve dhe deputetëve; por trauma e tmerrit është gjithsesi masive dhe nuk mund të anashkalohet më.
Fize Koklla, shefe e krimit seksual në Komisariatin e Policisë no. 5, foli për dhuratat dhe forma të tjera të joshjes. Ajo gjithashtu shpjegoi se ka rëndësi të madhe të dallohen politikanët vampirë nga politikanët vurkollakë, ose likantropët.
“Dua t’u kujtoj të gjitha atyre nënave që u vënë fëmijëve hudhra në xhep,” tha Koklla, “se hudhra ofron njëfarë mbrojtjeje të përkohshme kundër vampirit, por nuk ka asnjë efekt ndaj vurkollakut.”
Politikani nuk ndalet para asgjëje për t’iu afruar viktimës së vet të mitur, tha Koklla. Mishngrënës për nga natyra, do të përpiqet ta hutojë ose hipnotizojë prenë e vet duke kërcyer valle, duke bërë karagjozllëqe, duke imituar kafshë shtëpiake, duke kakarisur ose mjaullitur, duke evokuar macen korbin dhe kukuvajkën, duke shpërndarë sheqerka, duke u veshur si kloun ose si Plak i Vitit të Ri, duke kënduar kuplete infantile me ho-ho-ho, duke lëshuar pasthirrma të gjithfarshme, duke treguar barceleta me përmbajtje fekale, flatulente ose ekskrementale, të cilat u pëlqejnë shumë fëmijëve.
Si aksionin e vet të parë publik, shoqata “Mbroni Fëmijët” ka zgjedhur mbrëmjen e madhe të Vitit të Ri në Tiranë, ku asnjë politikan nuk do të lejohet t’i qaset perimetrit të sallës së mbrëmjes, për të prishur atmosferën festive të fëmijëve.
Vojo Bolla, drejtor i Shkollës së Qenve, njoftoi të pranishmit se institucioni i tij do të vërë në dispozicion të veprimtarëve 30 (tridhjetë) qen të racës Labrador të specializuar për neutralizimin e pedofilëve dhe keqbërësve të tjerë seksualë.
“Këta qen janë të ushqyer mirë e të stërvitur me standardet bashkëkohore, dhe mund të veprojnë edhe në kushte të errësirës së plotë,” tha Bolla.
Kokteji në Reugner sponsorizohej nga kompania “Pikzhapik”, leader në tregtinë me shumicë të lodrave.
© OBOBO NEWS/dhjetor 2006