[Leskovik-17.7.2007] “Ngërçi institucional që ka kapur Shqipërinë zgjidhet vetëm me një mënyrë: zgjedhjen e zonjushës Kristanthi Popoviç në krye të shtetit”. Kështu u shpreh kryetari i Bashkimit të Fan-Klubeve “Forca Kristanthi”, dr. Miltiadh Koçani, gjatë konferencës për shtyp për prezantimin e unionit që drejton. Z. Koçani u kujtoi të pranishmëve se jetëshkrimi i zonjushës Popoviç është “ku e ku” me ato të kandidatëve aktualë, të cilët “merren ose me botën e vdekur antike, ose me botën kafshore”.
Pasi përmendi punën e lavdërueshme të kandidates së re si gazetare me emër pranë agjencisë serioze OBOBO NEWS, z. Koçani tha: “Nuk ka pëllëmbë të këtij vendi që kandidatja jonë të mos ketë shkelur. Herë si e dërguar e posaçme për ecurinë e mbarështimit të derrit, herë si vëzhguese e modës së adoleshentëve të droguar, herë si gazetare e akredituar pranë kafenesë së Parlamentit, zonjusha Popoviç u ka fituar të gjithëve zemrën”.
Gjatë konferencës për shtyp, gazetarëve iu shpërndanë gjithashtu 20 firmat jashtëparlamentare që ishin mbledhur për të zyrtarizuar kandidaturën e gazetares me përvojë Kristanthi Popoviç. Firmat shoqëroheshin edhe nga deklaratat përkatëse. Ja disa prej tyre:
“Më në fund edhe ne shqiptarët do ta shqiptojmë fjalën ‘Presidenti’ në gjininë femërore: ‘Presidentja’. Për mua është lumturi”.
Egra Dhia, Zv/Kryetare e shoqatës “Emancipimi rozë”
“Kristanthi ishte e qeshur dhe serioze njëkohësisht. Një herë ishim në rrëzë të Vërdovës për të mbledhur manaferra. Ishim disa vajza, në moshën 10 vjeçare, jo më shumë. Aty pamë për herë të parë një çift që puthej. Ne të tjerat donim t’i gjuanim me gurë, por Kristanthi nuk na la. ’T’i lemë të qetë ta shijojnë dashurinë’ – na tha“.
Kleanthi Melaniqi, shoqe fëmijërie
“Kur e kritikoi mbjelljen e misrit me kubikë Kristanthi ndiqte shkollën e mesme bujqësore. I mjaftuan dy vitet e para për të kuptuar kotësinë e asaj metode“.
Bledar Kallamoqi, shok klase Krumë
“Zonjusha Kristanthi Popoviç gatuante me efikasitet. Për një periudhë kohe punoi si kuzhiniere në disa restorante të qytetit. Në atë kohë i rrita pa masë shitjet e barnave, si laksative ashtu edhe tkurrëse”.
Koli Kyçyktari, Biznesmen në distribucionin e barnave
“Më mbeti vajza pa u martuar. Për të mirën e Shtetit“
Kristavgji Popoviç, E ëma
© OBOBO NEWS / korrik 2007