Materiali që po sjellim të përmbledhur më poshtë është dërguar në OBOBO NEWS nga dr. Kobalt Kokodede, sekretar shkencor i Drejtorisë Bashkëkohore, pranë Ministrisë së Kombit dhe të Kombinimeve, në lidhje me disa keqkuptime që kanë lindur për figurën e poetit laureat dhe pikërisht për të evidentuar disa të pavërteta që po qarkullojnë, jo gjithnjë në pafajësi, rreth këtij lloji të posaçëm poeti.
Nuk është e vërtetë që poetit laureat, në ceremoninë e shpalljes, do t’i kërkohet të betohet kështu: “Për at’ Naim, për at’ Lasgush, dhe për at’ Fishtë!”. Poetit laureat mund t’i lejohet që invokojë zotat e vargut shqip, që t’ia lehtësojnë penën dhe ta ekspozojë këtë invokim në krye të poemave të veta.
Nuk është e vërtetë që poeti laureat do të vishet me kostumin popullor shqiptar tradicional sa herë që të dalë në publik dhe do të detyrohet të recitojë vjersha të mëdha patriotike të cilat fillojnë me apostrofin: “O Shqipëria ime!” ose “O tokë, e lame me gjak!”
Nuk është e vërtetë që poeti laureat duhet ta ketë provuar dorën me rapsodi, balada dhe poema epike; dhe as që duhet të shkruajë në varg folklorik tetërrokësh. Është e vërtetë që poeti laureat do të testohet, për nëse di të shkruajë dhe/ose të ligjërojë me varg folklorik tetërrokësh.
Nuk është e vërtetë që poeti laureat do të zgjidhet me votë të lirë nga Facebook-u.
Nuk është e vërtetë që poeti laureat duhet të shkruajë dhe të recitojë, para anëtarëve të Parlamentit dhe të Qeverisë, poema të shkurtra me rastin e datëlindjeve të njerëzve të shquar të Republikës; kjo iu kërkua britanikut Andrew Motion, në 2003, për datëlindjen e princit William; por ende nuk është përgjithësuar si praktikë.
Nuk është e vërtetë, që poetin laureat do ta shpërblejë shteti duke i falur bagëti. Kjo mund të ketë qenë traditë në ndonjë vend blegtoral si Australia, ku poetit laureat Michael Massey Robinson qeveria australiane i pat blatuar dy lopë. Por poetit laureat do t’i kërkohet, herët a vonë, të shkruajë diçka për lopën.
Nuk është e vërtetë që poeti laureat duhet të dijë të shkruajë të paktën një variant letrar ose dialekt të shqipes. Është e vërtetë, gjithsesi, që poeti laureat duhet të dijë shkrim e këndim dhe të zotërojë përdorimin e emotikonave.
Nuk është e vërtetë që poetit laureat do t’i japë shteti një apartament luksoz te Kodra e Diellit. Por është e vërtetë që për poetin laureat gjithnjë rezervohet një parcelë e kategorisë 2/B në Varrezat e Kombit, nëse qëllon që ky të ndërrojë jetë në detyrë e sipër.
Nuk është e vërtetë që dikush nuk mund të zgjidhet poet laureat dy herë. Por është e vërtetë që dikush, për t’u zgjedhur poet laureat, nuk duhet të jetë zgjedhur ndërkohë poet laureat i një shteti tjetër, sikurse është e vërtetë që dikush, për t’u zgjedhur poet laureat, duhet të jetë dikushi.
Nuk është e vërtetë që një në çdo pesë poetë laureatë duhet të jetë nga trojet arbëreshe. Është e vërtetë, përkundrazi, që poetët laureatë do të vizitojnë rregullisht trojet arbëreshe autoktone dhe do të flasin arbërisht me të paktën pesë nga banorët e atjeshëm.
Nuk është e vërtetë që poeti laureat duhet të ketë paraprakisht bindje politike. Si rregull, poeti laureat i zgjedh bindjet e veta politike sipas detyrës së lartë që i jepet.
Nuk është e vërtetë që poetit laureat i ndalohet të japë gjykime për poezinë e kolegëve të vet. Është e vërtetë që poeti laureat duhet të përmbahet dhe të mos japë gjykime për poezinë e vet, përveçse kur sigurohet se nuk po e dëgjon njeri.
Nuk është e vërtetë që poetit laureat do t’i ribotohet vepra në botim luksoz me kapak prej lëkure kau, të mbështetur nga biznesmenë të diasporës. Por poeti laureat mund të kërkojë që veprat t’i ribotohen me përparësi, edhe në qoftë se edicionet e hershme i kanë mbetur stok librarive.
Nuk është e vërtetë që poetit laureat do t’i lejohet që t’i rikrijojë poemat e veta, për t’ia përshtatur pozicionit të tij të ri kombëtar.
Nuk është e vërtetë që poeti laureat duhet të ketë shkruar të paktën një sonet. Është e vërtetë, përkundrazi, që poeti laureat duhet të pranojë, sa herë që t’i kërkohet, epërsinë e Dantes ndaj Petrarkës dhe të Eskilit ndaj Sofokliut.
Nuk është e vërtetë që poeti laureat duhet të jetë shquar si autor tekstesh këngësh patriotike dhe as që të ketë dhënë prova trimërie në fushën e betejës. Por poetit laureat do t’i duhet që të shkruajë për këto virtyte dhe t’i deklamojë vargjet përkatëse
Nuk është e vërtetë që poeti laureat, në rast se ndodh që të rrezikohet kufiri kombëtar, do të ngjeshë armët dhe do të dërgohet në Front, në mos tjetër, për të ngritur moralin e trupave me ligjërimin e tij të zjarrtë.
Nuk është e vërtetë që poetit laureat do t’i kërkohet që rrogën e vet t’ia dhurojë Fondacionit Mbarëshqiptar të Poetëve të Vdekur Urie. Është e vërtetë që Fondacioni Mbarëshqiptar i Poetëve të Vdekur Urie mund ta zgjedhë poetin laureat si anëtar nderi të vetin.
Nuk është e vërtetë që poeti laureat duhet të dorëhiqet nga ky post, sapo të fitojë Çmimin Nobel për Letërsi.
© 2020, OBOBO NEWS