Parlamenti i Republikës, gjatë një seance të posaçme, ia njohu sot pronësinë mbi qytetin e Tiranës qytetarit Kurt Topi, i cili ka arritur të provojë, me dokumente, se është trashëgimtari i vetëm dhe i ligjshëm i familjes Topia, e cila zotëronte trojet ku ngrihet sot kryeqyteti shqiptar para se këto të përmireshin nga qeni turk.
Kurt Topi, i cili është duke e ndërruar emrin në Kurt Topia, rrjedh nga një familje e lashtë bujarësh arbër, të cilët më pas do të luftonin krah për krah Gjergj Kastriotit, për të mbajtur të pastër zonën e Tiranës nga bisha e ardhur prej Azie.
Në ceremoni merrnin pjesë edhe përfaqësues të Senatit të Republikës së Venedikut, të nxjerrë posaçërisht nga varret për këtë rast të shënueshëm.
Vetëm dy ditë më parë, Presidenti ynë dekoroi me Urdhrin e Shpatës prej Sermi dogjin e Venedikut Francesco Foscari (pas vdekjes), duke i dhënë vlerësim të lartë përpjekjeve të tij të palodhura në ndihmë të integrimit europian të ultësirës perëndimore të Arbërisë.
Merrnin pjesë edhe pjesëtarë të familjeve bujare të Zaharive, Dukagjinëve, Aranitëve, Muzakajve, Spanëve, Buave së bashku me piktorët dhe skulptorët që i kanë sendërgjuar.
Kurt Topi premtoi se, tani që e ka marrë në zotërim, do të bëjë të pamundurën për t’ia kthyer Tiranës shkëlqimin e dikurshëm, kryesisht duke e kruar dhe duke larguar qentë e pazot prej rrugëve ku dikur shkelnin, me papuçe mëndafshi, fisnikë, misionarë e kryqtarë nga mbarë Europa.
Të pranishmit në ceremoni i dërguan pastaj një telegram të gjatë shkrimtarit Ismail Kadare.
(c) k. po. OBOBO NEWS