Me një vendim që i kapi të papërgatitur analistët, politologët dhe sidomos politikanët anembanë Shqipërisë, Ballkanit dhe Europës, kryeministri i sapozgjedhur Edi Rama propozoi, gjatë një mbledhjeje përndryshe me dyer të mbyllura të kabinetit, emrin e paraardhësit të tij Sali Berisha, për Kryetarin e ri të Inspektoriatit Rrugor të Republikës.
“Askush më mirë se dr. Berisha nuk e njeh rrjetin rrugor të Shqipërisë, në të gjitha degëzimet, ndërlikimet dhe ndërkëmbimet e veta,” shpjegoi Rama, gjatë kohës që në ekranin pas krahëve të tij projektoheshin pamje nga përurimet e shumta të rrugëve me pjesëmarrjen e ish-kryeministrit, heroit të mirënjohur të katër rrotave dhe dashnorit të lirisë që të siguron asfalti i freskët.
“Dr. Berishës do t’i jepet gjithashtu grada ekuivalente e nënkolonelit të trafikut, do t’i njihet e drejta për të mbajtur uniformën karakteristike të inspektorëve rrugorë dhe gjithashtu do t’i dorëzohet patenta e motoçikletës me numrin rendor AL-001,” përcaktoi kryeministri Rama.
Është thënë disa herë se qeveria e re do t’i kushtojë vëmendje të veçantë qarkullimit rrugor, mbikalimeve, nënkalimeve dhe rrethrrotullimeve, pa lënë mënjanë kujdesin për imazhin e sistemit tonë rrugor në Google Maps. Nuk është rastësi që firma turke “Taban” sapo fitoi tenderin e ministrisë së Transporteve, për sheshimin e gropave dhe riparimet kozmetike të rrugëve të reja të hapura gjatë këtyre pak muajve të fundit, në një kohë që Rrugës së Kombit, e cila lidh mes tyre Shqipërinë me Kosovën, pritet që t’i njihet, nga UNESCO-ja, statusi i zonës të trashëgimisë botërore, njëkohësisht me Bjeshkët e Bekueme (deri dje Bjeshkët e Namuna) dhe Mujit (por jo, për fat të keq, Halilit).
Në qoftë se e pranon detyrën e re, dr. Berisha do të detyrohet të refuzojë propozimin e mëparshëm, që i kishte ardhur nga një grup i biznesit të djathtë, për të projektuar, mbikqyrur dhe promovuar lyerjen me bojë në dorë të parë të tubacioneve të gazsjellësit TAP.
Pati zëra, nga shtypi opozitar, se duke i ofruar ish-kryeministrit postin prestigjioz të bosit të trafikut kombëtar, Edi Rama po i krijon vetes mundësinë ngashënjyese që ta pikturojë ai vetë, me teknikat dhe metodat e njohura dekadente, tubacionin e gazsjellësit në fjalë.
© OBOBO NEWS – Kristanthi Popoviç