ERRATA CORRIGE

Lajmi për aksidentin brutal që përfshiu top management-in e fondacionit “Shurdhahu” i botuar numrin e fundit të buletinit të OBOBO NEWS përmbante disa pasaktësi të vogla.

Policia e Shëngjinit ende nuk e ka arrestuar shoferin e kamionit që u përplas me veturën e presidentes së fondacionit, zonjës Gjyste Pashmina; përkundrazi, ka ndaluar shoferin personal të zonjës Gjyste, të quajtur Idris Puci, i cili atë ditë megjithatë nuk gjendej në timon, por në një Internet Café në Lezhë, nga ku afishonte dokumente konfidenciale të fondacionit në një forum shqiptarësh të Torontos.

Po ashtu, z. Nikotin Lukashi ishte përmendur gabimisht si anëtar i bordit të drejtorëve të fondacionit “Shurdhahu”; në të vërtetë, z. Lukashi është anëtar korrespondent i bordit drejtues të fondacionit “Zoja e mirë”, që prej vitit 1992, duke qenë edhe për disa vite i fejuar me të bijën e industrialistit shqiptaro-italian Vuk Maraschino, pronar i një kazinoje të vogël në Sarajevë.

Fondacioni “Shurdhahu” nuk ka ndihmuar për ndërtimin e xhamisë “Xhamija”, por vetëm ka mbuluar shpenzimet për mbrojtjen ligjore të presidentit të fondacionit “Zoja e mirë”, Lek Bashomuji, i cili u hodh në gjyq nga studioja arkitektonike “Demolition Man” e Lausanne-s, që edhe kishte projektuar xhaminë “Xhamija”, por që ishte penguar të ndërtonte në Milot, për shkak të afërsisë së terrenit të ndërtimit me një monument kulture të paspecifikuar ndryshe, por që tashmë, sipas të dhënave që ka siguruar OBOBO NEWS, nuk ekziston më, madje as si terren.

Gjithashtu, z. Vuk Maraschino nuk është kërcënuar nga Nikotin Lukashi, me të cilin vijon të mbajë marrëdhënie profesionale korrekte edhe pas vetëvrasjes të së bijës Ambra Lucia Maraschino, por nga shoferi i presidentes së fondacionit “Shurdhahu”, i lartpërmenduri Idris Puci, i cili pretendon se zotëron një kopje të dosjes së z. Maraschino, të cilën e ka nxjerrë nga arkivi i gazetës “Bulevardi i Madh”, që në kohën kur atë e drejtonte motra e pamartuar e z. Nikotin Lukashit, zonjusha Mirsevjen Lukashi.

OBOBO NEWS kërkon të falur për këto pasaktësi, të cilat nuk pajtohen me vijën e saj editoriale, as me standardet e saj të cilësisë, që lexuesi ka pasur rast t’ia admirojë shpesh në të kaluarën.

(c) OBOBO NEWS

Standard

Një mendim mbi “ERRATA CORRIGE

  1. Evdotea thotë:

    Nikotin Lukashi radikal i majtë ?

    Personazh kontroversial deri në fund, heroi i barrikadave Nikotin Lukashi është vënë përsëri n qendër të reflektorëve. Shkak është bërë Kongresi i parë i Filatelisë post-komuniste i organizuar në Brno të Republikës Çeke. Midis duartrokitjeve të të ftuarve të shumtë, filatelistë të suksesshëm dhe dashamirës të filatelisë vetë, e ka marrë fjalën dramaturgu, disidenti i njohur dhe Presidenti i fundit i Çekosllovakisë, Vaclav Havel, i cili ka theksuar domosdoshmërinë e destalinizimit të plotë dhe përfundimtar të shoqërive post-komuniste lindore, duke propozuar ngritjen në këto vende të instituteve të studimit dhe zbardhjes së krimit totalitar. Ndërsa Haveli e përfundonte kumtimin e tij duke u kërkuar pjesëmarrësve të shqiptonin bashkërisht me zë të lartë dhe të vendosur “Never again”, mësohet se një grup radikalësh të majtë të pranishëm kanë kundërshtuar haptazi të bashkohen me korin e pjesëmarrësve të tjerë. Mësohet gjithashtu që pyetjes së Milan Kunderës nëse kishin ata takat të mbanin mbi supe 60 milionë viktima ruse, 70 milionë kinezë, 1 milion vietnamitë, 2 milion kamboxhianë, 2 milionë evropiano-lindorë, 2 milionë afrikanë, 2 milionë koreanë dhe 1 milion e gjysmë afganë, duket se të majtët në fjalë i janë përgjighur njëzëri “E dimë, ani çka?”. E kotë të shtojmë se arroganca e këtij grupi të kufizuar i ka provokuar thellësisht ndjenjat e pjesëmarrësve të tjerë, dhe është dashur ndërhyrja e Z. Lukashi si dhe e shkrimtarit më të njohur të Ballkanit Perëndimor, Ismail Kadaresë, për të qetësuar situatën e rënduar dhe për të ndarë fizikisht regjizorin e madh ballkanik Emir Kusturicën nga grupi i kundërshtuesve të majtë. Midis këtyre veçojmë Julius Baaders, nipin nga i ati të Andreas Baader, liderit historik të famëkeqes RAF gjermane dhe Evdotea Papajoanu, e bija e armatorit me origjinë arvanitase Aristidhis Papajoanu, e njohur për simpatinë e saj për qarqet radikale. Ndryshe nga sa pritej nga heroi i barrikadave, ky i fundit duket se i ka dalë në mbrojtje grupit të lartpërmendur, duke iu drejtuar të pranishmëve me shprehjen lapidare “Shpirtrat rebelë e njohin njëri-tjetrin”. Mësohet gjithashtu se radikalët i kanë dhuruar Z. Lukashi në shenjë admirimi dhe respekti të thellë ndaj kontributit të dhënë në përmbysjen e regjimit diktatorial në Shqipëri një CD muzikor me këngën e njohur ruse Kalinka të kënduar nga kori i Armatës së Kuqe dhe grupi finlandez Leningrad Cowboys. Nga ana e tij Z. Lukashi mësohet t’i ketë dërguar me postë Znj. Papajoanu një CD me këngën e saj të preferuar Ochi Chyornye, të kënduar nga tenori i njohur rus Nikolaj Baskov.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s