Konkurs ndërkombëtar

TIRANË: Shpallet konkursi ndërkombëtar për zhbllokimin e nevojtoreve të shtetit.

Kryetarja e Departamentit të Rrjedhjeve të Brendshme, znj. Shkëndija Pipi, u tha sot gazetarëve të mediave të akredituara se dokumentacioni për konkursin ndërkombëtar të zhbllokimit të nevojtoreve të shtetit është kompletuar dhe firmat ose institucionet e interesuara mund të aplikojnë tashmë pranë këtij departamenti.

Hidraulika e ujërave të zeza të shtetit është diskutuar tashmë më se një herë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, madje një delegacion i Parlamentit Europian, i kryesuar nga europarlamentarja Astra Gillette, i tërhoqi vëmendjen qeverisë së Tiranës për të ashtuquajturin super-kongjestion të janarit 2010, kur një masë e madhe mbetjesh të lëngshme dhe gjysmë të lëngshme e përqendruar në aksin Paskuqan-Mamurras, rrezikuan digën e maksi-rezervuarit të ujërave të zeza, në luginën piktoreske të Vuçit, duke bërë realitet rrezikun e një katastrofe me pasoja të paimagjinueshme për imazhin e Shqipërisë në Europë.

Edhe ushtaraku në pension, ish-gjenerali Mazllëm Myfiti, në një letër të hapur drejtuar Komisionit Europian në Bruksel, ka denoncuar prej kohësh rrezikun që nevojtoret e shtetit të pushojnë së funksionuari dikur në vjeshtë të vitit 2011, duke shkaktuar turbullira në rrjedhjen e ujërave të brendshme dhe të nëndheshme. Gjeneral Myfiti, në një nga letrat e veta të shumta drejtuar institucioneve, ka vënë në dukje se edhe infrastrukturat mund të vuajnë nga konstipacioni; dhe është detyra e ekzekutivit të ofrojë laksativët e nevojshëm, mekanikë, kimikë dhe simbolikë, për të parandaluar krizat.

Në konkurs do të paraqiten një numër studiosh arkitektonike dhe laboratoresh të specializuara për trajtimin e qelbësirave, nga të katër anët e botës.

Presidenti i studios Dulkolaks, me qendër në Bazel të Zvicrës, arkitekti me famë botërore Daniel Leverkussen, i cili ndodhet këto ditë në Tiranë për të diskutuar kokë më kokë me autoritetet më të larta të ujërave të zeza të shtetit shqiptar, i tha OBOBO NEWS se projekti i tij parashikon një rivështrim të thellë të krejt sistemit hidraulik, duke i dhënë përparësi njeriut ndaj teknologjisë, korteksit cerebral ndaj rektum-it institucional dhe efektit të gravitetit ndaj sistemit të tanishëm me thithje, i cili e ka mbingarkuar gjeologjinë e ultësirës perëndimore deri në pikën e moskthimit.

Një tjetër projekt interesant vjen nga Studio 68 në Milano, e drejtuar nga Daniel Grossman, fitues i disa çmimeve ndërkombëtare prestigjioze në lëmin e arteve putrefaktive, duke përfshirë edhe polimerizimin e fekaleve metropolitane dhe efektet e padëshiruara të teknikës së pusit gravitacional në sistemet inerciale vertikale të jashtëqitjes shtetërore. Grossman, i cili në Ballkan përfaqësohet nga e bija Zoe Grossman, mendon të vërë edhe ai qytetarin në qendër të projektit, duke ruajtur sistemin tradicional të ujërave të zeza shtetërore dhe publike në pajtim me karakteristikat lokale multikulturale, por duke i mbivendosur një unazë vakuumi desolidifikuese, në mënyrë të tillë të krijohet trysni negative në hapësirat përkatëse.

Një tjetër studio e interesuar për projektin, holandezja Osmosis Project, premton të shfrytëzojë nënproduktet fekale për të prodhuar energji të mjaftueshme, për të plotësuar nevojat në rritje të institucioneve shtetërore anembanë kryeqytetit, duke përfshirë edhe partitë politike. Presidenti i Osmosis, arkitekti me famë botërore Daniel Krautkopf, propozon që sistemi ekzistues por i amortizuar i tubacioneve të zëvendësohet nga një rizomë, ose një rrjetëzim fraktal strukturash nanometrike tubulare, të cilat do të përftojnë energji nëpërmjet osmozës në nivel molekular.

Nevojtoret e shtetit, tha me këtë rast Drejtori i Drejtorisë së Zhbllokimeve Dhanil Karamitro, janë ajo pjesë e padukshme e infrastrukturës që siguron mbarëvajtjen e metabolizmit politik. Është detyra jonë ndaj çdo qytetari, vazhdoi ai, që të kujdesemi për këtë aspekt të jetës së institucioneve, duke mbajtur në këmbë strukturat e nevojshme katabolike, në rrethanat e ngrohjes globale dhe në kontekstin e impenjimit të qeverisë shqiptare për të kontribuar në reduktimin e emisioneve të dyoksidit të karbonit dhe të gazrave të tjerë përgjegjës për efektin serrë në planet.

Shteti, tha ekologu Dalan Popla, është një nga prodhuesit më të mëdhenj të metanit (CH4), i cili çlirohet në atmosferë dhe kontribuon në mënyrë të frikshme në ngrohjen globale, siç e treguan edhe përmbytjet e fundit në zonën e Shkodrës. Është përllogaritur, vazhdoi ai, se çdo nëpunës shtetëror prodhon më shumë gaz metan sesa një lopë, në një kohë që dihet se një lopë, në vetvete, e dëmton klimën globale më shumë sesa një automjet me motor me djegie të brendshme. Për këtë arsye, përfundoi ai, zhbllokimi i nevojtoreve të shtetit duhet të shfrytëzohet, nga të gjithë ne, si një rast i volitshëm për t’i dhënë fund shpërdorimeve të metanit ekskremental dhe abuzimit me këtë karburant ekologjik dhe të rinovueshëm.

© OBOBO NEWS

Standard

Një mendim mbi “Konkurs ndërkombëtar

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s