Lost and Found

SHËNNAUM: Lajm i gëzuar për të gjithë dashamirësit e kulturës elitare, urave të komunikimit mes popujve dhe gjenisë së gjuhës shqipe: perkthyesja e njohur Spasiba Pllava, e ndarë prej nesh kohët e fundit pas një sëmundjeje të shërueshme, u nderua me çmimin LOST & FOUND, të Akademisë së Riciklimit Kulturor.

Me këtë rast, kryetari i kësaj akademie prof. Vojo Karadaku i tha OBOBO NEWS se çmimi për përkthyesen e vjetër Spasiba vjen në momentin e duhur, për të nderuar një jetë në shërbim të komunikimit mes popujve.

Spasiba Pllava është veçanërisht e njohur për publikun shqiptar, për përkthimin magjistral që ia ka bërë poezisë klasike franceze, dhe veçanërisht kryeveprës Quand trois poules, për të cilën ishte nderuar me çmimin “Oiseau d’or” edhe nga Shoqata e Nënave Frankofone, në vitin e largët 1954.

Krahasoni, i tha OBOBO NEWS prof. Karadaku gjatë një interviste që ia morëm me SMS, versionin frëngjisht të kësaj poeme:

Quand trois poules vont aux champs
La première va devant
La deuxième suit la première
La troisième vient la dernière
Quand trois poules vont aux champs
La première va devant

Me versionin e dhënë nga Pllava në gjuhën e bukur shqipe:

Kur tre pula shkojnë në ara
E para marshon përpara
E dyta e ndjek nga prapa
E treta u vjen nga pas
Kur tre pula shkojnë në ara
E para marshon përpara

Versioni shqip është pa dyshim superior; siç e kanë njohur edhe akademikë dhe kritikë letrarë anembanë botës.

Edhe pse ajo vetë i përkiste një minoriteti etnik, Pllava e ka përcjellë me mjeshtëri të madhe thelbin metafizik të poemës; dhe pikërisht raportin midis konsekutivitetit hapësinor të kolonës dhe hierarkisë sociale, shtoi prof. Karadaku.

Vëreni zgjedhjen e foljeve: marshon, ndjek, vjen; e para shpreh vendosmëri dhe pjesëmarrje aktive nga elita; e dyta lëkundjen karakteristike të shtresës së mesme; e treta, mungesën e vullnetit të lirë, në shtresat e ulëta.

Është për t’u habitur, përfundoi Karadaku, si u lejua të qarkullonte ky përkthim i mrekullueshëm, në kontekstin rreptësisht të censuruar të letërsisë totalitare; meqë sot kushdo mund të dallojë atje sfidën e hapur të një intelektualeje si Pllava, ndaj despotizmit ideologjik të diktaturës.

Përkthimi që i ka bërë Spasiba Pllava kësaj perle të letërsisë frënge studiohet tashmë anembanë Europës, si dëshmi për kontributin që mund të japë përkthimi, në vlerat e mirëfillta estetike të poezisë.

Arti i vërtetë nuk njeh sinorë, vërejti prof. Karadaku; sepse letërsia është nga natyra e vet universale.

Sikurse të gjithë gjenijtë, edhe Pllava ka pasur detraktorët e vet; mes të cilëve edhe përkthyesi përndryshe i mirënjohur i letërsisë zvicerane, Frano Krrudhi, i cili për një kohë të gjatë u rrek të promovonte versionin e vet në shqip të poemës frënge, në përkthim të lirë, i cili tingëllonte kështu:

Tri zoga ngarendin në blerinë,
gjashtë kofshë të pjekuna vizllojnë
në sofër të shtrueme të bujkut andrrimtar.

Jemi të gjithë me fat, i ra shkurt prof. Karadaku, që kemi në letërsi një diversitet të tillë; meqë versioni i Krrudhit, edhe ai superior ndaj origjinalit frëngjisht, i referohet drejtpërdrejt realitetit shqiptar, të parë me syzet e një Ndre Mjede ose një Rabindranath Tagore; ku natyra vihet drejtpërdrejt në shërbim të mbijetesës, dhe romantika nuk ndahet nga rituali i përditshëm i sillës.

Çmimi LOST & FOUND u sponsorizua edhe nga Ambasadori i Republikës Franceze në Tiranë, z. Zazie Queneau.

© OBOBO NEWS

Standard

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s