Arma jonë e vetme: fjala

Me rastin e përvjetorit të lëvizjes studentore të dhjetorit, korrespondentja jonë Ilinda Lima u takua dhe bisedoi me një nga pjesëmarrësit historikë të atyre ngjarjeve, zotin Nikotin Lukashi.

Zoti Lukashi, me sa dimë, ju nuk keni dhënë deri më sot asnjë intervistë për ngjarjet e dhjetorit, në një kohë që kolegët tuaj nuk kanë lënë rast pa dalë para kamerave, për të ndriçuar të vërtetën e atyre ditëve. Si shpjegohet kjo heshtje?

Edhe heshtja kumton diçka. Vendimi për të folur sot erdhi vetëm ngaqë heshtja po më kthehej në dhimbje të papërballueshme.

Shumë flitet për ngjarjet e dhjetorit 1990, por ende nuk kuptohet mirë se çfarë ka ndodhur tamam ato ditë. Cili ishte roli i Nikotin Lukashit, në përmbysjen e komunizmit në Lindje?

Asgjë më tepër se të tjerët. Mbaj mend që atë natë u takuam me një grup shokësh studentë – isha unë, Shaban Hyzoti, Dale Hashorva, Pjerin Shata, Ervehe Fico, Lisenko Fshikza, Vangjo Llakatundi, Kliti Vogli dhe ndonjë tjetër që s’më kujtohet. Aty erdhi edhe Ramiz Alia, krejt papritur, u ul në mes tonë dhe ne i thamë: vëri gishtin kokës, se po të rrëshqet pushteti nga duart. Unë i thashë, në fakt; por edhe të tjerët ma mbështetën.

Zoti Lukashi, jeni i sigurt për emrat që thoni? Deri më sot asnjë nuk i ka përmendur këta si protagonistë të ngjarjeve të atyre ditëve.

Ata kanë qenë aty. Te godina 24 e Qytetit Studenti, ndaluam një furgonçinë, të cilën e kujtuam se na përgjonte. Në fakt, ishte e ngarkuar me pardësy të bardha, të pahapura, në qese najloni. Aty pata unë idenë që t’i merrnim ato pardësy dhe t’ua shpërndanim dhjetoristëve. Të përdoreshin si një lloj uniforme.

Po Ramizi?

Ia dhuruam një edhe Ramizit, por i rrinte e madhe. Unë i thashë: u plake, shoku Ramiz dhe ai qeshi.

Ndërkohë vazhdonte greva e urisë?

Greva e urisë dhe e etjes. Në orën 19:00 erdhi Gramoz Pashko me Gramoz Rucin, për të luajtur ping-pong te sallat ngjitur me kafeterinë. Ishte edhe Sali Berisha, që po vizitonte një të sëmurë, më duket se Fahri Balliun, që jetonte aty dhe vuante aso kohe nga tëmthi. Saliu ishte i vetmi që më kërkoi dy pardësy, ia dhashë të dyja. Nuk kam t’i paguaj tani, më tha; por do të të jap një faturë. Kur të kesh, i thashë.

Po Ramizi?

Ramizi m’u afrua dhe më pyeti: Nikotin, ç’është kjo shenjë që bëjnë studentët, me dy gishtat përpjetë? Mos është shenja e gërshërës? Çfarë duan të presin? Kjo pyetje e presidentit shqiptar u keqinterpretua më vonë nga gazetarja Pina Thano, sikur ai kishte thënë që do t’ua presim gishtat studentëve; në fakt, kreu i regjimit komunist kishte frikë nga gërshërët e lëvizjes.

Të kthehemi te pjesëmarrësit e atyre ngjarjeve. Si i bashkërendonit punët me intelektualët?

Në atë kohë Shqipëria kishte vetëm dy intelektualë: Sali Berishën dhe Ismail Kadarenë, por ky i dyti ishte larguar tashmë drejt Francës. Në fakt, kur ia kërkuam Ramiz Alisë ndarjen e pushteteve, u ngrit njëri prej nesh, Azem Galica e quanin, djalë azgan, dhe kërkoi që t’i telefononim Kadaresë në Paris, për t’i marrë një mendim.

E keni fjalën për Azem Hajdarin ndoshta?

Mundet. Në fakt, tani po më kujtohet që Kadaresë i kam telefonuar unë, me numrin që ma dha Ramizi, se e kishte të shkruar në dorë, me stilolaps, që të mos e harronte. Po gjirokastriti andej nuk e ngrinte telefonin; bënte sikur nuk ishte aty. Atëherë morëm në telefon Besnik Mustafajn që ishte edhe ai shkrimtar. Nuk e ngriti as ky, por ne s’kishim si ta dinim që Besniku ishte në banjot e katit të dytë, duke provuar edhe ai pardësynë përkatëse. Pastaj erdhi Myfit Telati dhe na tha që situata ishte e tensionuar, kishte forca të policisë që po përpiqeshin, nuk dihet pse, të shpërthenin derën e bibliotekës së Gjeologjikut.

Çfarë kishte atje?

Ju thashë, askush nuk dinte asgjë. Thoshin që edhe aty po krijohej një parti, por mund të kenë qenë thjesht llafe, kundër-propagandë, dizinformim, kupton? Ndërkohë filloi mbledhja këtej nga ne, e mori fjalën një vajzë e gjatë dhe e hijshme, Juna Kostëbardhi, dhe iu drejtua Ramizit për t’i thënë: ku e ke habeas corpus?

Po Ramizi?

Në fakt, Ramizi ishte larguar, së bashku me një person që nuk ia pamë fytyrën, por që duhet të ketë qenë ambasadori jugosllav. Më pas, kur i shkuam në zyrë, njëri prej nesh – më duket se unë – do ta pyeste se ç’donte ai në makinën e legatës jugosllave. E vumë me shpatulla për muri. Mirë nuk e more vesh kur i hipe, i thamë; por kur e dëgjove që flitej serbisht si nuk dole menjëherë nga makina?

Po nuk kishte makinën e vet Ramizi?

Ia kishte dhënë Sali Berishës dhe Edi Ramës, që të shkonin për të blerë cigare për grevistët. Cigaret ishin problem. Atë natë dhe për shumë kohë më pas. Ramizi kishte dhënë urdhër të hapeshin depot e Rezervës së Shtetit, për të qetësuar gjendjen.

Ndërkohë greva e urisë ishte ndërprerë.

Nuk e di, unë kisha shkuar në shtëpinë e Gramoz Rucit, për të shtruar tavolinat me mishra. Me ne ishin edhe Skënder Skuqi, Jani Gjergjeku dhe Thoma Gulçi. Aty më mori në telefon Saliu, nga antena e Dajtit, për të m’u ankuar për pardësynë e vet – material i dobët, tha, mall kinez.

Po ç’bënte Saliu te antena e Dajtit?

Kishin shkuar për të dhënë lajmin; njërit prej nesh, Jakubin Masrekut, i punonte i kunati teknik te radiostacioni sekret; prandaj e dërguam, së bashku me Saliun, Skënder Gjinushin, Lek Kolën dhe një arbëresh, poetin Françesk Ulku, për të formuluar dhe dërguar mesazhin, në disa gjuhë të huaja. Përkthimet i bënte pedagogu i ri Nonda Trebizonda, poliglot nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja. Ata thanë pastaj se kishin folur drejtpërdrejt me Mitterand-in, Genscher-in dhe Pippo Baudo-n; ndërkohë që na udhëzuan ne të tjerëve të fortifikonim bazën ku ishim strehuar përkohësisht.

Mos e keni fjalën për shtëpinë e Gramoz Pashkos?

Jo, aty shkuam më vonë, pasi na nxorën përjashta nga shtëpia e Gramoz Rucit, meqë një komshi ishte ankuar se po bënim zhurmë. Në fakt, ne kishim ftuar mes nesh aktorin Reshat Arbana, për të na recituar disa vargje vërtet mish-ngjethëse nga Lahuta e Malsisë. Gjergj Fishta, më kupton? Ishim unë, Arqile Llapa, Natasha Vrraka, Polikseni Polovina, Ylli Karamitri, Mexhit Ylli, Agustin Kola dhe Nadire Haxhija. Edhe unë mbaj mend që u ngrita dhe këndova një këngë të Romina Power: Il ballo del qua-qua. Jo se ishte ndonjë këngë kushedi sa e famshme, por ajo m’u kujtua në atë moment, isha shumë i emocionuar.

Agustin Kola futbollisti ishte me ju?

Po, madje ky luajti rol kryesor kur po kapërcenim bulevardin e madh. Më vonë u largua prej nesh, së bashku me Gjergji Jorgjin, Makbule Brarin dhe Ladi Muhedinin. Nuk e mbaj mend pse, por më kujtohet vetëm se më mori mënjanë dhe më tha: Nikotin, mos u zër besë atyre, duke treguar me gisht për nga pikat ku ende shpërndaheshin pardësytë e bardha, në qendër të Tiranës.

Keni ndonjë kujtim të veçantë nga ajo natë?

Jo.

Kush ju mënjanoi më pas nga udhëheqja e Partisë Demokratike?

Një militant i quajtur Adhurim Nergysi, shumë inteligjent por që nuk na donte të mirën, punonte për llogari të Sabri Godos; agjent provokator i republikanëve. Më akuzoi se unë mbaja lidhje me naltmadhninë e tij, Leka Zogun dhe se po përgatitja kthimin e Shqipërisë në monarki ose kthimin e monarkisë në Shqipëri, nuk e mbaj mend tamam. Po ky, në një rast tjetër, i foli keq edhe Ibrahim Rugovës për mua; pasi e kishte ndaluar në mes të Strasburgut, për ta kapur për shalli dhe për t’i thënë: Moschino? Kjo paskësh qenë parulla e grupit të tyre, siç e shpjegoi më vonë; por truprojeve të Rugovës nuk u pëlqeu ky gjest dhe atëherë ky më përmendi mua me emër. Më ka çue për falmeshnet Nikotin Lukashi, u tha.

Këtë incident shtypi e ka rrëfyer ndryshe.

Natyrisht. Unë respektova privacy-në e Rugovës dhe të disa personave të tjerë të implikuar në incident. Por Sali Berisha nuk ma fali kurrë. Kur u ktheva në Shqipëri, kishte dalë të më priste në aeroport: më mirë të kishe ardhur i vdekur, më tha. Na ke koritë, Nikotin. Mos ki merak, i thashë, se nga politika kam hequr dorë, tash e tutje do të merrem vetëm me pasionin tim të kamotshëm, filatelinë.

Kush është Nikotin Lukashi sot?

Le të themi, një filatelist i suksesshëm. Babë i mirë, bamirës, mik i Bamirit. Kam biznesin tim, klientët e mi në mbarë botën. Udhëtoj shumë, takoj njerëz dhe miq anembanë planetit, shkruaj kujtimet që nuk do t’i botoj kurrë.

Po të kishit mundësi t’i rijetonit ato ditë dhjetori, çfarë do të kishit bërë ndryshe?

Tani që kam kohë t’i rikaloj ato ngjarje në mendje, ndoshta shpërndarja e pardësyve ishte gabim fatal, ndoshta duhej organizuar ndryshe. Ajo furgonçina që kapëm, do të ketë qenë e komanduar nga policia sekrete e Hekuran Isait. Edhe pardësytë kanë pasur mikrofonë përgjimi, ose markers të tjerë; ashtu na i kontrolluan lëvizjet. Më pas, i kam shkruar Saliut një letër të gjatë, të cilën ia dërgova dorazi, me sekretarin amerikan të Shtetit, James Baker, për t’i thënë: ç’i bëre pardesytë, doktor?

Iu përgjigj ai letrës?

Në një farë mënyre. Më dërgoi një shall Moschino si dhuratë, për Ditën Ndërkombëtare të Filatelisë.

Po çfarë u bë me pardësytë, në fakt?

Ato duhej të ishin në muzeun kombëtar tani, sepse mishërojnë në perfeksion frymën e atyre netëve. Duhan, ambicje, provokim, smog, erë hudhre, ëndrra, faqe të brendshme të gazetës Drita, copa biletash kinemaje xhepave. Mirëpo, si gjithçka tjetër, janë vënë edhe ato në pikëpyetje.

Pardësytë?

Ato, ëndrrat. E di si më pat thënë një herë At Zef Pllumi? U takuam para Kishës Katolike, te Rruga e Kavajës. Më kapi për krahu, i mallëngjyer, por më tepër për të prekur stofin e palltos Kenneth Cole që kisha veshur, më tha: vesha kopilesha. Kaq. Lapidar.

I mbani lidhjet me kolegët e atyre ditëve?

Shumë prej tyre nuk jetojnë më – disa të vrarë, disa të vdekur. Ku janë Eligon Matraku, Zija Koni, Perikli Dhalesi, Perikli Qirjazi, Lulëzim Shtino, Mamica Hasimja, Blendi Blindi, Xhorxhi Kapo, Niko Nosi, Aneta Jorganxhiu, Bebi Kërçiku, Millan Baçi, Sokol Guraleci… I ka tretur të gjithë dheu.

Në fakt disa prej tyre janë ende gjallë e shëndoshë, në mos gabohem.

Pamvarësisht. A e din si thotë Heidegger-i diku? Sein und Zeit. Më qartë se kaq, nuk shprehem dot. Këta intelektualët e sotëm, kur ua përmend Heidegger-in, qeshin me të madhe; por ne atëherë ishim me kokë në torbë. Mbaj mend mikun tim të shtrenjtë, Fiqri Ujkani, kur ishim duke pritur për t’u takuar me presidentin Alia, që më thoshte: Nikotin, nuk due me vdekë. Akoma nuk kam fjetë me nji femën. Akoma nuk e kam provue.

Një pyetje që të gjithë do t’jua drejtonin, po të kishin fatin t’ju takonin. Kishit armë atëherë? Ishit të armatosur?

Gole Buci kishte një karabinë, por kësaj i mungonte shtrati i shulit. Prandaj këtij i tha Gramozi: mos ta dëgjoj ta përmendësh karabinën, se të vrava me dorën time. Gramozi vetë kishte një nagant, të luftës së Spanjës. Unë kisha vetëm idetë e mia, asgjë tjetër. E di si u tha atëherë Heine rojeve të doganës? Pikërisht. Sa për Saliun, ky atëherë ishte i dhënë pas gandizmit, nuk besonte në dhunën. Ju me plumba, ne me pëllumba – këtë slogan e patëm bërë gati, në qoftë se do të kishte masakër. Saliu kishte tmerr nga armët. Erdhi një malësor, Llesh Ndue Gjokaj i thoshin, e solli nji karajfile, nga të kohës së turkut. Nuk shkrep, tha; e kam heqë nga oxhaku i kullës, por le ta mbajmë si simbol të lëvizjes. Mirëpo nuk u bë gjë pastaj, sepse nuk deshën Gjovalin Brukaj dhe Rudolf Sulçe, që mbulonin sigurimin e liderëve të lëvizjes; prandaj ia dhuruam Moikom Zeqos, që u gjend aty rastësisht. Asnjë armë nuk na duhej. Arma jonë ishte fjala e lirë.

Do t’i ktheheni ndonjë ditë politikës?

Never say never, thotë i madhi James Bond. Por tani për tani, jam tepër i zënë me punët e filatelisë; së shpejti do të organizojmë kongresin e parë të Filatelisë post-komuniste, në Brno; Milan Kundera na ka premtuar që do të sjellë atje Havelin, Kadarenë dhe Kusturicën; do të jetë diçka e jashtëzakonshme, për Shqipërinë dhe Europën. Edhe ashtu i shërbehet idealeve të dhjetorit, duke e bashkuar botën mbi një zarf. World in an Envelope, kështu e kemi quajtur kongresin provizorisht. Në Shqipëri vij shumë rrallë, vetëm për Kërshëndella. E gjej gjithnjë të ndryshuar, aq sa nuk njoh njeri në rrugë, përveç ndonjë dhjetoristi të rastit, nga ata që kanë mbijetuar. Unë i njoh, se unë jam si konti St. Germain, por ata nuk më njohin; koha ka bërë të vetën. Por njeriu jeton vetëm dy-tre ditë, gjithë jetën; ç’mbetet janë prova të përgjithshme, ose orvatje për t’i përsëritur gjërat. Përndryshe edhe unë vetë e kam zor ta gjej, brenda meje, Nikotin Lukashin e djeshëm, heroin e barrikadave, të grevave të urisë, të përballjeve me forcat e errëta, të pagjumjes kronike. No pasarán.

Ju falemnderit.

© OBOBO NEWS

Standard

Një mendim mbi “Arma jonë e vetme: fjala

  1. Evdotea thotë:

    E paperballueshme heshtja, pavaresisht ndrojtjes dhe pavaresisht veshtiresise per te falenderuar ne menyre jo kaotike, mbas tre ditesh qe kam te vizatuar ne fytyre zalisjen e shkaktuar nga intervista. Sapo seriozohem, me kujtohet karajfilja e kohes se turkut dhe nuk me ngelet tjeter veçse te ngre syte drejt tavanit e te justifikohem me atmosferen gazmore te fundvitit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s