Koha e çmimeve

KALAJA E DODËS: Lajme të mira po ju sjell OBOBO NEWS, sot si kamot.

Shkolla Profesionale e Hotelerisë “Hani i Dy Robertave”, në qytezën e Shëngjinit, veç dy vjet jetë i ka mbushë qyshse u ngrit me ndihmën e biznesmenit të këtyne anëvet, zotit Gjosho Zhoka; por ia ka rritë vedit namin e mirë, pse rrezaton dije e kulturë në tanë krahinën përreth.

Halá nuk kemi të diplomuem nga kjo shkollë, por kemi një kolektiv të mrekullueshëm djemsh dhe vajzash nga krejt hapësina shqipfolëse në Ballkan, të cilët arsimohen në mënyrë bashkëkohore, falë punës së përkushtueme të arsimtarëvet dhe drejtoreshës Tushe Zhoka.

Ka qenë një nismë e bukur e mësueses së letërsisë shqipe, Kozita Llalla, për me fillue me dhanë përmot, në muejin e shkurtën të fruerit, një çmim letraro-artistik për veprën ma të mirë të botueme nga një shkrimtar i trojeve arbnore.

I miratuem unanimisht nga Bashkia pluraliste e qytezës së Shëngjinit, çmimi nacjonal “Vula e Skanderbegut” konsiston në një abonim në revistën “Nora e Kelmendit”, të botueme nga vetë nxanësit e shkollës, me ndihmën e palodhun të poetit lokal Çelik Prela; si dhe në shumën simbolike prej 400 frangash ari, të dhurueme nga biznesmeni Gjosho Zhoka, pronar i biznesit riciklues Phoenix.

E kotë me e thanë që këtë vit çmimi “Vula e Skanderbegut” iu akordue shkrimtarit tonë nacjonal, nobelistit Ismail Kadare, për veprën e tij ma të fundit “Darka e gabueme”, të cilën tanë nxanësit e kësaj shkolle mezi po presin me e lexue. Asht një vepër që të ban me mendue, tha referuesja Kozita Llalla, por edhe me u ndie krenar për popullin tand.

Në ceremoninë e thjeshtë qytetare, të organizueme në palestrën ultramoderne të shkollës, drejtoresha Tushe Zhoka tha se ishte nderë për Shkollën “Hani i Dy Robertave” me ia dhanë çmimin ma të naltë nobelistit tonë, i cili ua kishte përplasë në ftyrë anmiqve tanë kudo në botë përgjigjen e meritueme prej shqiptari 24 karat.

I përshëndeti të pranishmit edhe një çikë kosovare, e quejtun Dritare Lpica.

Çmimi “Vula e Skanderbegut” e ka vendosë tashma Shkollën Profesionale të Hotelerisë “Hani i Dy Robertave” në hartën e letrave shqipe. Lajmi i mirë u përcoll edhe nga radiot lokale Tupanat dhe Zadrima-99.

Raportoi Pashk Kokalli, korrespondent vullnetar i agjencisë:

(c) OBOBO NEWS

Standard

Një mendim mbi “Koha e çmimeve

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s