Zbulim i madh muzeologjik

BOSTON: Zbulohet vrima që i bëri gjylja e topit në gjoks kreshnikut Mic Sokoli.

Njoftimin për këtë zbulim të rrallë në llojin e vet ua bëri sot gazetarëve të akredituar pranë agjencisë OBOBO NEWS prof. Nako Kanaçi, anëtar korrespondent i Akademisë Shqiptare të Massachusetts.

Shumë studiues ishin vënë në gjurmë të kësaj vrime prej kohësh, por vetëm prof. Kanaçit i buzëqeshi fati, sepse vetëm prof. Kanaçi e kishte mendjen të përgatitur.

Indiana Jones has always been my role model,” tha prof. Kanaçi, në anglishte të kulluar.

Vrima që i hapi gjylja e topit tragjikisht në gjoks kreshnikut Mic Sokoli u zbulua në Arkivat Sekrete të Vatikanit, së bashku me këmborën e cjapit të oxhakut të Markagjonajve, vulën e bibliotekës së Haxhi Qamilit dhe një sapun artizanal rroje që kanë përdorur vëllezërit Çerçiz dhe Bajo Topulli.

“Në vetvete dhe për vetveten, kjo vrimë e sapozbuluar është dëshmi e pakundërshtueshme se miti historik i ka rrënjët në realitet,” u tha të pranishmëve prof. Musamedin Muhedini, drejtor i departamentit të Zbulimeve Madhështore, pranë Muzeut Kombëtar Historik në Tiranë.

Vrima është rrethore, me diametër rreth 12 cm; pak e dëmtuar në skajet, por përgjithësisht e ruajtur mirë.

Ka të dhëna se, para se të përfundonte në Arkivat e Selisë së Shenjtë, vrima ka qenë, për pak kohë, në zotërim personal të familjarëve të Ali bej Këlcyrës, dhe pastaj ka përfunduar në një manastir në ishullin Krk, të bregdetit dalmat.

Pyetjes nëse ka sado pak shanse që kjo vrimë të bashkohet një ditë me xhamadanin e Mic Sokolit, i cili ruhet tashmë në një stendë të posaçme, në Muzeun Kombëtar Historik në Tiranë, prof. Nako Kanaçi nuk iu përgjigj, duke përmendur një marrëveshje që kishte me Arkivin e Vatikanit në lidhje me të drejtën e transportimit të vrimës përmes kufijve të shtetit të vogël papal.

“Hë për hë do të mjaftohemi të ekspozojmë në mjediset e muzeut tonë një kopje të rregullt të kësaj vrime,” tha nga ana e vet prof. Musamedin Muhedini.

Zbulimi i vrimës nga ana e studiuesit veteran Nako Kanaçi u mundësua falë një euro-granti personal të ministrit shqiptar të Arkivave, prof. dr. Ylli Papafango.

© OBOBO NEWS

Standard

Një mendim mbi “Zbulim i madh muzeologjik

  1. Askushi(post scriptum) thotë:

    Doja te beja nje saktesim per kete artikull. Nuk u gjet vrima por BRIMA e Mic Sokolit.
    Nder te tjera thuhet qe ne kete brime gjendet edhe ajo ç’mbetet nga trupi i pajete i trasportusit te saj te pafat.. Ne arkiva eshte shenuar se “… nje pakujdesi gjate amballazhimit te brimes beri qe njefare marinari i quajtur Alfonso Giovanni me pare te humbte kembet dhe me pas te zhdukej komplet ne thellesine e brimes…” Ai gjendet aty edhe sot e kasaj dite. (Art 10 PAG 2 Musei Vaticanensi( …forāmenĭnis pectus albanesi audax Michael Socolum et calamĭtātis nautae inŏpis Alfonso Giovanni).

Lini një koment