Shënomëni dhe mua

Sihariqin e dha mbrëmë vonë drejtori i Njoftimit Strategjik pranë qeverisë shqiptare, nënkolonel Llambi Qirilli: këtë prag viti të ri, do të hapet në Fushë-Krujë e para Qendër Rekrutimi Shqiptare për ushtrinë amerikane.
Do të krijohen kështu kushtet që një numër i konsiderueshëm bijsh e bijash të këtij populli të vihen në shërbim të lirisë dhe të demokracisë kudo në botë, tha nënkolonel Qirilli, i cili në kohën e vet ka qenë për 3 vjet radhazi kampion kombëtar i radioamatorizmit në Shqipëri.
Interesi i rinisë shqiptare, e njohur si më pro-amerikania në botë, për t’u rekrutuar është më i lartë se kurrë ndonjëherë, tha për gazetarët dr. Sofat Tarifa, drejtor i Institutit Atlantik të Kavajës dhe ekspert gjeopolitolog ndërkombëtar.
Miku i madh i vendit tonë, ish ministri amerikan i Mbrojtjes Rumsfeld, e bëri të qartë në vizitën e vet të paradokohshme në vendin e shqiponjave se të gjithë ata qytetarë shqiptarë që do të shërbejnë në ushtrinë amerikane, fitojnë automatikisht të drejtën për t’u pajisur me Kartën e Gjelbër dhe për të aplikuar për një jetë më të mirë përtej oqeanit.
Nga kjo ofertë, precizoi nënkolonel Qirilli, përjashtohen të gjithë ata që do të kenë përfituar ndërkohë nga vendimi i qeverisë greke për të pajisur me pasaportë greke vorio-epirotët shqiptarë. Këta mund të shërbejnë aktivisht vetëm në forcat që veprojnë nën Komandën e NATO-s.
Historiania e shquar Pëllumbesha Xhufka shpjegoi, me këtë rast, se shqiptarët gjatë gjithë historisë së tyre janë shquar si ushtarë në shërbim të forcave të Lirisë dhe të Drejtësisë botërore, duke përmendur veçanërisht stratiotët, të cilët luftuan për mbretërit e Napolit.
Nuk është e rastit që batalioni i parë sulmues i forcave shqiptare pjesë e ushtrisë amerikane do të mbajë emrin e luftëtarit të madh eurocentrik Mërkur Bua.
Shqiptaro-amerikani Henry Kacel Qafëgjashta shpjegoi se shqiptarët tradicionalisht janë njohur për ushtarakë të shkëlqyer, që prej ilirëve në shërbim të perandorisë romake, durrësakëve trima në shërbim të Bizantit, arvanitëve që kryen me sukses revolucionin grek dhe jeniçerëve që demokratizuan perandorinë turke.
Të mos harrohet që edhe Skënderbeu në thelb ka luftuar për Mbretërit e Napolit, shpjegoi Qafëgjashta.
Shqiptarët janë qitës të shkëlqyer, trima, fizikisht të përgatitur, notarë të mirë, të etur për dije, të drejtë, seksualisht të përmbajtur, me higjienë të mirë vetjake, të respektueshëm ndaj civilëve dhe robërve të luftës, ndërtues gjakftohtë. Ata dinë të vetëveprojnë, por edhe t’i binden të parit të tyre.
Qendra e Rekrutimit do t’i hapë dyert më dt. 31 dhjetor, ku pritet që ndër të parët që do të aplikojnë simbolikisht për t’u regjistruar si kandidatë për rekrutë të jenë edhe kryeministri Sali Berisha, kreu i opozitës Edi Rama dhe ish-kryeministri Fatos Nano.
Përveç testeve standard të rekrutimit, kandidatët do t’i nënshtrohen provimit të gjuhës angleze, tha nënkolonel Qirilli.
Pritet që forcat shqiptare të inkuadruara në trupat e Pentagonit të jenë gati për të shërbyer në Irak para ekuinoksit pranveror; të organizuara në njësi të posaçme ose “Bay Racks”, sipas zonave të prejardhjes së rekrutëve.
Me këtë rast, rekrutë të rinj të repartit 505 të forcave speciale të ushtrisë shqiptare dhanë për të pranishmit një spektakël të shkurtër të mbërthim-zbërthimit të karabinës me sy të lidhur.
© OBOBO NEWS
Standard

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s