Një projekt-propozim i paradokohshëm i deputetes së djathtë Vizhdan Gzimja u miratua në ligj nga Kuvendi i Republikës Shqiptare, pas një votimi të përshpejtuar, që vëzhguesit e cilësuan të rreptë, por të drejtë.
Duke filluar nga data 1 janar 2009, dueli formal do të lejohet me ligj brenda territorit shqiptar, për shtetas shqiptarë dhe të huaj.
“Populli ynë ka tradita të lashta në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me burrni,” thotë specialisti i së drejtës zakonore, prof. Zeqë Zhabjaku. “Nga pikëpamja thjesht juridike, dueli sjell thjeshtim të konsiderueshëm të praktikave procedurale dhe liron energji intelektuale që mund të shfrytëzohen për projekte të tjera më të rëndësishme.”
Ligji i ri, i cili ka gjetur simpatizantët e vet në të dy krahët e spektrit politik, mbështetet në legjislacionin e vjetër francez, rus dhe turk, që u është përshtatur rrethanave specifike të Shqipërisë.
“Dueli, në vetvete, është një lloj dueti,” shpjegon prof. Artan Fagu, filozof i komunikimit. “Dy njerëz i qasen së vërtetës duke vënë bast për ç’kanë më të shtrenjtë: jetën.”
Ligji e përcakton në hollësi krejt procedurën e sfidës për duel dhe mënyrën e organizimit të ceremonisë. Shpenzimet, duke përfshirë shpenzimet e varrimit do të përballohen nga palët pjesëmarrëse; por shteti do të nderojë zotimin e vet, në qoftë se shkaku për duel gjykohet të ketë lidhje me veprimtarinë publike të duelantëve.
“Të gjitha përpjekjet e deritashme për të çrrënjosur gjakmarrjen kanë dështuar,” shpjegon prof. Zhabjaku. “Ndoshta ka ardhur koha që të mos mendojmë më për çrrënjosje, por për zëvendësim.”
Ndryshe nga imazhi tradicional-romantik i duelit, i ushqyer nga letërsia e kohës dhe kinemaja, në Shqipëri do të lejohet që në duel të marrin pjesë edhe gratë.
“Qytetarët tash e tutje do të mendohen mirë para se të fyejnë njëri-tjetrin,” thotë specialisti i konflikteve, dr. Fiqri Ngjati. “Frika nga dueli do ta shndërrojë duelin vetë në diçka simbolike. Fjala do të peshojë përsëri po aq sa guri.”
Prof. Fagu, nga ana e vet, ia lejon vetes të flasë më hapur: “Askush nuk duhet të ketë frikë nga vdekja,” thotë ai. “Në veprën time të fundit, Për dhjamë qeni, kam shpjeguar si dueli, i njohur edhe si dyluftim, nuk është veçse përfundimi logjik i një dialogu të nisur në nivelin diskursiv. Vdekja në vetvete është një lloj kumti.”
Ligji për duelin parashikon krijimin e zyrave publike të posaçme, të quajtura Institute të Pajtimit, të cilat do të miratojnë kërkesat e qytetarëve për duel dhe do të sigurojnë armët përkatëse.
“Legalizimi i duelit do të tërheqë një numër të shtuar turistësh drejt Shqipërisë,” shpjegon Ministri i Tërheqjes, prof. Dylli Pingo. “Është detyra, por edhe kënaqësia e institucionit që drejtoj, që t’u krijojmë këtyre mysafirëve kushte optimale për ta konsumuar aktin.”
Kanalet televizive kombëtare janë duke garuar mes tyre, se kush do t’i shtjerë në dorë të drejtat për të transmetuar duelet më të rëndësishme.
“Kjo nuk duhet parë si vrasje e legalizuar nga shteti,” shpjegon prof. Fagu. “Unë do ta shihja, përkundrazi, si vrasje që e legalizon shtetin.”
Në fakt, ligji në formën e vet të tanishme përjashton nga dueli figurat e larta të shtetit, duke përfshirë ambasadorët e fuqive të mëdha, anëtarët e qeverisë dhe të OJQ-ve, krerët e institucioneve fetare dhe aktorët e filmave televizivë.
“Ashtu garantojmë ruajtjen e kontinuitetit,” shpjegon ideatorja e ligjit Vizhdan Gzimja. “Askush nuk duhet të gënjehet e të kujtojë se mund ta përdorë duelin si armë për të zgjidhur konflikte të natyrës politike ose institucionale.”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do ta nënshkruajë këtë ligj me dorën e majtë.
© OBOBO NEWS
Filed under: Uncategorized