“Zhvillimet gjuhësore shihen në vogëlsira”, kështu u shpreh dijetari turk me origjinë shqiptare Aziz Gündüz. Sipas gjuhëtarit, filozofit, etimologjistit, strukturalistit Gündüz, gjuha shqipe po pastrohet dita ditës. “Shenja e parë dhe e pamohueshme – u shpreh ai në emisioni “Troç fare” të Topless Channel – është transformimi i spektaklit Miss Albania në Miss Shqipëria”.
“Vetëm pak vite më parë, një ndryshim i tillë rrënjësor as që mund të imagjinohej. Sot tingëllon më bukur Miss Shqipëria”, nënvizoi, midis të tjerash shkrimtari Aziz Gündüz.
Lidhur me kërcënimet e supozuara ndaj gjuhës shqipe, gramaticieni Gündüz tha: “Gjërat nuk duhen marrë kallëp. Puristët janë për nga natyra të paduruar, por kush duron fiton, siç thotë populli”.
“Gjuha shqipe është nga gjuhët më të vjetra në botë, shtoi intelektuali turk. Ajo është gjuhë indoevropiane, çka do të thotë antike. Ajo ka përballuar shumë stuhi, si rrjedhim përballoi më së miri edhe spektaklin modern Miss Albania. Apo tani duhet të them Miss Shqipëria?”, buzëqeshi me dashamirësi semiologu i njohur dhe miku turk Aziz.
© OBOBO NEWS
Filed under: Uncategorized
Çuditërisht, versioni turk i këtij spektakli, i transmetuar çdo javë nga televizioni privat i Stambollit “Bash Hendek”, mban titullin “Arnaut Hanëm”.
Mos i ka shpetuar edhe ndonje “vogelsire” dijetarit turk me origjine shqiptare, per ta pastruar gjuhen deri ne fund? “Zojush Shqiperia” do e nderonte deri ne fund ,por duket se ai ka vendosur te duroje edhe ca me shume deri ne purismin total te gjuhes shqype.
Vë bast se këtë shkrim nuk e ka shkruajtur gazetarja ime e preferuar e ON, Kristanthi Popovic, se ajo, sado që është bjonde dhe me sy bojqelli, nuk do të shkruante kurrë një fjali të tillë:”…semiologu i njohur me miku turk Aziz.(!!)
I kërkojmë falje lexuesve për gabimin e lajmit të mëparshëm. Jemi duke analizuar dhe hetuar intensivisht, nëse kemi të bëjmë me një gabim njerëzor apo politik, pa dashje apo të nxitur, miqësor apo armiqësor. Rezultatet e hetimit nuk do komunikohen publikisht, por po dëgjuat ndonjë zhurmë Zisi sovjetik ‘63, dijeni se janë plaçkat e sekretares së redaksisë, që po barten drejt një fshati të thellë malor.