SHIJAK: Falimentoi shtypshkronja historike “Vëllezërit Xhagjika”. Burime të Ministrisë së Komunikacioneve konfirmojnë se ky falimentim i shpallur mbrëmë në mesnatë erdhi pasi Drejtoria e Përgjithshme e Postave Shqiptare e vuri në pezull porosinë madhore që i kish bërë kësaj shtypshkronje për një sasi prej 144.000 pullash poste me portretin e ambasadorit amerikan në Shqipëri, z. Jimmy Whithers, në pritje të sqarimit të akuzave të nivelit të lartë që i janë bërë diplomatit të shquar për implikim në aferën e municioneve kineze. Mësohet, me këtë rast, se asgjësimin e pullave të postës do ta bëjë një firmë e besuar shqiptare, e drejtuar nga biznesmeni patriot Kosta Grabocka.
+ + +
KUÇOVË: Në kuadrin e zgjerimit të bashkëpunimit me ushtritë e vendeve mike, Shqipëria do t’i vërë në dispozicion hapësirën e vet ajrore forcave të armatosura të Izraelit, në rast të një konflikti të armatosur të këtij vendi me regjimin anti-semit të Iranit, i tha agjencisë OBOBO gjeneral major Ridvan Verzivolli. Jam i sigurt se të njëjtën gjë do të kish bërë edhe Izraeli për ne, nëse aviacionit tonë do t’i duhej të godiste rrufeshëm objektiva strategjikë, në distancë të madhe, tha ushtaraku i lartë shqiptar. Avionët luftarakë izraelitë, shpjegoi më tej Verzivolli, mund ta shfrytëzojnë hapësirën tonë ajrore për t’u furnizuar me karburant, ose edhe thjesht për t’u shplodhur.
+ + +
STRASBURG: Sipas një direktive madhore të Parlamentit Europian miratuar tani së fundi, vendet që aspirojnë për t’u futur në Europën e Bashkuar duhet të sigurojnë që të paktën 10% e anëtarëve të parlamentit të jenë të orientimit homoseksual, ose gay. Kryetari i Fondacionit për Barazinë Seksuale në Institucionet e Republikës Shqiptare, dr. Aleko Lejleqi, deklaroi me këtë rast se nuk është e nevojshme të zhvillohen zgjedhje të reja, por vetëm që deputetë ekzistues të krejt spektrit politik të fillojnë të luajnë me letra të hapura e të mos fshihen më pas fustaneve të të dashurave të tyre kozmetike.
© OBOBO NEWS
Filed under: Uncategorized
keto jane lajme .bravo