Botohet në Danimarkë libri “Këtu fluturon shqipja” (“Den ørn flyver her ovre”), i autorit të njohur danez Lars Hjelmstrøglebrøggse.
Me këtë rast Kristanthi Popovic e OBOBO NEWS udhëtoi drejt Kopenhagen-it, për t’u takuar me z. Hjelmstrøglebrøggse dhe për të biseduar në lidhje me suksesin e tij të fundit.
Shqipëria është misteri i fundit i Europës, shkruan Hjelmstrøglebrøggse. Vend i vogël ballkanik, buzë Adriatikut, ka njohur pushtimet e egra romake, sllave, bizantine dhe më pas otomane.
Pyetjes sonë nëse ai mendon se Shqipëria është vend malor, Hjelmstrøglebrøggse iu përgjigj: “po, është vend malor, nuk ka asnjë dyshim.”
Pjesa më e madhe e librit i kushtohet Aeroportit të Rinasit, të cilin Hjelmstrøglebrøggse e krahason me aeroporte të tjera që ka vizituar.
Nuk mungojnë edhe vërejtjet e mprehta për xhamitë, lopët në autostradë dhe lypësit e rrugëve.
Kryeqyteti i Shqipërisë është Tirana, shkruan Hjelmstrøglebrøggse.
Me gjithë qejf, autori danez pranon të bisedojë me korrespondenten tonë Popovic.
Le të flasim për mikpritjen tradicionale në Rinas, thotë ai.
Gjatë vizitës në Shqipëri, miku nga veriu i ftohtë i Europës ka mësuar se Nënë Tereza është me origjinë shqiptare.
Ai i kushton një paragraf të tërë Skënderbeut, të cilin e quan “heroi i Krujës.”
Ju keni edhe një shkrimtar të madh me famë botërore, i thotë Hjelmstrøglebrøggse korrespondentes sonë: Ismail Kadarenë. Sipas një deklarate të ministrit danez të Informacionit, librat e Kadaresë pëlqehen shumë në Danimarkë.
Megjithatë, bën shaka Hjelmstrøglebrøggse, nuk ju premtoj dot se suedezët do t’ia japin çmimin Nobel.
Hjelmstrøglebrøggse ka mbetur gojëhapur nga ngjyrat që i ka dhënë qytetit të Tiranës kryetari i Bashkisë, Edi Rama. Nuk e dija që kishte qenë piktor, thotë Hjelmstrøglebrøggse.
Në libër flitet edhe për gjakmarrjen, rakinë, kanunin, bunkerët, vejushën Hoxha, koranin, Kuranin, Butrintin, virgjineshat e Veriut, besën shqiptare dhe fatin e hebrenjve gjatë Luftës II Botërore.
Një tjetër zbulim me interes që ka bërë udhëtari danez i tre kontinenteve është se shqiptarët janë të ndarë në gegë dhe në toskë.
Megjithatë, i thotë ai korrespondentes Popovic, gjuha shqipe nuk ka lidhje të ngushta me asnjë gjuhë tjetër indo-europiane.
Hjelmstrøglebrøggse ka vizituar disa kafene në Tiranë, ku është takuar me të rinj e të reja, me të cilët ka folur anglisht. Më kanë pëlqyer sidomos anëtarët e organizatës rinore “Mjaft”, kujton ai.
Nga avioni, shkruan Hjelmstrøglebrøggse, pashë plazhet e mrekullueshme të këtij vendi të lashtë, rrëzë maleve të thepisura ku e ngre folenë shqiponja dykrenare e flamurit kombëtar.
Të parët e shqiptarëve janë ilirët, thotë Hjelmstrøglebrøggse, duke u pozicionuar haptazi në favor të kësaj teze. Për ilirët dhe të tjera tema të lashtësisë, autori danez ka biseduar me arkeologun veteran Myrteza Tartakuti, në kalanë e Beratit ose të Gjirokastrës.
Shqipëria, vëren Hjelmstrøglebrøggse, ka veçorinë që të kufizohet me ish-Jugosllavinë në veri, dhe me Greqinë në jug.
Aventurieri danez tregon për një shëtitje me biçikletë buzë lumit Lana në Tiranë, ku ka kryqëzuar shteg me presidentin e republikës, Bamir Topin. Së bashku me presidentin, ai viziton stadiumin ku vite më parë ka luajtur skuadra daneze e futbollit “Brøndby”.
Në Shqipëri pashë njerëz që e donin të ardhmen, shkruan Hjelmstrøglebrøggse: parrukierë, balerinë, gazetarë, kamerierë, sekserë, kafetierë, banakierë, oficerë, berberë, konferencierë, botues, video-artistë, fotomodele, arkitektë, bodyguards, security guards, disenjatorë rrobesh banjoje, producentë, dentistë, kineastë.
Ai kujton me mall audiencën që i dha ministri i Arkivave, Ylli Papafango. Gjatë bisedës 1-orëshe, të dy palët arritën në përfundimin kurioz se kishin qenë në hotelin “Wilde Gans” në Amsterdam në të njëjtën kohë, madje kishin frekuentuar të njëjtat lokale të natës.
Së shpejti, libri “Den ørn flyver her ovre” do të përkthehet në shqip, për t’iu dhënë në dorë lexuesit tonë.
Erdha dhe u largova si miku juaj, thotë Hjelmstrøglebrøggse. Do të më dukej ëndërr, sikur të mos ma kujtonte ky libër modest, por i ndjerë.
Përgatiti: Kristanthi Popovic.
© OBOBO NEWS, Hjelmstrøgle Udgiver
Filed under: Uncategorized
More nga larg të tërë të mirë dhe miq duken këta, po po ti shëkosh mirë, mirë… nuk na e duan të mirën këta.
)
Pse ky maskara e qënbirqëni nuk e ka përmëndur hyrjen e vëndit tonë me hapa gjikante në moshën e ntërnetit?
Përse ky paloburrë nuk ka thënë që edhe vëndi inë është rënditur në rradhën e demokracive më të mëdha botërore në iutubu???
P.s: KP është gazetarja më seksi e obbobbonews-it dhe presim intervistat e saj kur të vejë në vënde pak më të ngrohta se Norvegjia (duke shpresuar që të vendosni dhe fotot e saj
Po “sukesin”boteror”-Shqiperia-1-euro apo ca me pak 1-dollar si nuke ka vene re ky,”miku ine?!”.Po “ryrjen ne Nato”nuke ka vene re?Hic gje nuk dika…
“Ylli Papafango.”
Kjo po që ishte gjetje interesante.
Shume faleminderit Obob News qe i ben jehone botimeve te tilla, duke ia sjelle me afer Shqiperine lexuesit shqiptar, i cili deri tani e njeh ate vetem nepermjet optikes se deformuar te medias vendase, e cila nuk merr asnjehere mundimin per t’a pare ate nga siper nepermjet syrit te shqiponjes, sikurse ka bere autorit i njohur danez Lars Hjelmstrøglebrøggse, mik i vertet i popullit shqiptar.
Nderkohe nuk mundem te mos shpreh indinjaten time ndaj nje media kaq serioze si Obobo News per deformimin e vazhdueshem qe i ben emrit te kultureministrit Dylli Fango.
perse nuk eshte thene asnje fjale per diasporen e mrekullueshme qe ka vendi i shqipeve? nuk i duket arritje e madhe ketij zoterise danez?
Ujk, meqë italjanët nuk e shqiptojnë dat gërmën “Y”, në vënd të Dylli, propozoj Dulla
Mi scuzmi per injorancen, ky Dylli Fango, mos eshte gje autori i vepres monument-ale “Fangologjia”?