MEAUX: Bëhet e ditur, nga burime të ndryshme të pakonfirmuara, se dr. Mehdi Hamiti, i quajtur edhe Kolomb i arkivave albanologjike, paska zbuluar në bibliotekën sekrete të ambasadës shqiptare në Paris një dorëshkrim të pabotuar të shkrimtarit të mirënjohur Skënder Bermema.
Shkrimtari Skënder Bermema është personazh kryesor i romanit “Koncerti” të shkrimtarit tjetër të mirënjohur, Ismail Kadare; por shfaqet edhe në vepra të tjera në prozë të këtij të fundit, të botuara dhe të pabotuara por jo më të pabotueshme.
Dr. Mehdi Hamiti, i njohur për publikun shqiptar qëkur zbuloi një portret autentik të floktarit honorifik të Skënderbeut, abatit Vuk Lukaj, në pinakotekën sekrete të Raguzës (Dubrovniku i sotëm); i cili u vlerësua si i periudhës së viteve 1460-1463, kur abati Vuk Lukaj kish protestuar edhe duke u shkruar autoriteteve përkatëse në Vatikan, pse kish mbetur praktikisht pa punë.
Si edhe në raste të tjera, datimi i portretit iu besua polimathit Kamejkam Qizo, i cili prej vitesh jeton në një shpellë private pranë Kepit të Rodonit.
Dorëshkrimin e pabotuar të Skënder Bermemës e pat çuar në ambasadën shqiptare në Paris sovjetologu Besnik Struga, duke e transportuar me valixhen diplomatike. Mes faqeve të dorëshkrimit, gjendet edhe një letër e gjatë e Skënder Bermemës drejtuar Ismail Kadaresë, në rusishte të kulluar.
Dr. Mehdi Hamiti, i cili edhe pse është kryetar i Shoqatës Gjakovare të Frankofonisë e njeh rusishten në mënyrë të shkëlqyer, e ka shqipëruar atë letër me dorën e vet dhe ia ka dorëzuar motrës së shkrimtarit Skënder Bermema, e cila jeton tashmë vetëm në një fotografi në fototekën e kritikut Mitro Karapataqi. Në letër, Skënder Bermema thuhet ta ketë rekomanduar dr. Mehdi Hamitin për postin e profesorit të Letërsisë Apokrife, pranë Universitetit Paris IV.
Përkundrazi, vepra në dorëshkrim e Skënder Bermemës është kronikë e letrarizuar e marrëdhënieve të udhëheqësit legjendar shqiptar Skënderbeut me stafin e tij, e veçanërisht e dramës intime të abatit Vuk Lukaj, i gjendur përballë vendimit të Skënderbeut për të mos i prerë më leshrat dhe mjekrën pas tradhtisë thikë-pas-shpine të Hamzait.
Dr. Mehdi Hamiti kujton se Skënder Bermema, ende i ri në moshë, pothuajse e kapi gafil në Mbishkodër shkrimtarin makut sovjetik Ilia Ehrenburg, kur ky po përpiqej të vidhte një vizatim të Leonardo da Vinci-t nga kulla muze e patriotit Pashk Temperamentini; me ç’rast atë nuk e lejuan më t’i kalonte pushimet në shtëpinë e pushimit të shkrimtarëve në Pasha Liman, duke nxjerrë si pretekst klimën e papërshtatshme krijuese.
Vizatimi paraqiste një urë me tre harqe, shpjegon dr. Mehdi Hamiti, çka provon se edhe Leonardoja mund të ketë qenë, tek e fundit, me origjinë shqiptare. Megjithëse Ehrenburgu nuk u lejua as edhe t’i afrohej sëndykut ceremonial ku ruhej ky vizatim, vepra vetë që nga ajo kohë ka humbur pa lënë gjurmë, edhe pse sovjetologu pensionist Besnik Struga bën be e rrufe që e ka parë dikur të ekspozuar në dhomën e oxhakut të ish-drejtorit të Bankës Botërore, Paul Wolfowitz.
Veprën në dorëshkrim të Skënder Bermemës po e përkthen tani në frëngjishte sopranoja Inva Mula; duke ndërprerë përkohësisht përgatitjet e saj për rolin e Donikës në operan “Skënderbeu” të Vivaldit, të cilën do ta vërë në skenë një trupë amatore shqiptarësh të Dubrovnikut, me ndihmën e pakursyer financiare të Institutit të Aleancës Franceze në Zagreb.
Filed under: Uncategorized